Aktualitet

U arrestua për mashtrim financiar përmes call center, gjykata lë në burg Granit Pepnikën

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Granit Pepnikën, i cili u arrestua më 3 korrik në Dhërmi, në kuadër të hetimeve për dosjen e bujshme të call center-ave mashtrues. 29-vjeçari akuzohet për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

E njëjta masë sigurie është vendosur edhe për Xhoni Hitajn, i akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për Redion Rexhmatin, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Pepnika u arrestua nga strukturat e Policisë së Vlorës dhe Forca Operacionale, teksa qëndronte në një vilë në zonën e Dhërmiut. Bashkë me të u vu në pranga edhe Xhoni Hitaj, gjithashtu i shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve të deritanishme, Pepnika dyshohet se ishte një nga organizatorët e rrjetit të call center-ave që mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të rreme bursash. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Pepnika zotëronte 50 për qind të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, e themeluar në korrik të vitit 2021 së bashku me Jurgen Melën.

Dosja lidhet me operacionin e zhvilluar në prill të këtij viti, kur Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditi tre rrjete call center-ash mashtrues që ushtronin aktivitet në 12 zyra në Tiranë. Operacioni ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash dhe u arrestuan 10 persona.