Policia e Kryeqytetit ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Frosina Plaku”, ku një sherr për motive të dobëta degjeneroi në dhunë fizike dhe përdorimin e armëve të ftohta.
Si rezultat i veprimeve hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, u arrestuan në flagrancë Luciano Nurçja, 46 vjeç, Albert Lika, 44 vjeç dhe Enea Kurti 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Në hetim në gjendje të lirë: Shtetasi A. I. (33 vjeç), i cili aktualisht ndodhet në spital duke marrë ndihmë mjekësore.
I shpallur në kërkim është një i mitur i moshës 17-vjeçare (shtetasi E. L.), i dyshuar për “Plagosje të rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Konflikti ka nisur në hyrje të parkimit të një pallati, ku palët janë përleshur fillimisht me sende të forta, ndërsa më pas është përdorur edhe një mjet prerës (thikë), duke shkaktuar të lënduar.
Materialet procedurale i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e 17-vjeçarit të shpallur në kërkim.