Tech

Artikuj me pagesë?! Elon Musk prezanton idenë e re për Twitter-in!

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk do t’u ofrojë së shpejti përdoruesve të Twitter mundësinë që artikujt e gazetave t’i blenë. Në një deklaratë të bërë së fundmi, Elon njoftoi se do të zbatonte një model financiar, i cili ka dështuar kur është testuar nga platforma të tjera në të kaluarën.

Duke filluar nga muaji i ardhshëm, Twitter do t’i lejojë botuesit e mediave të tarifojnë lexuesit për artikull, vetëm me një klikim të thjeshtë.

Që kur themeluesi i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX” fitoi pronësinë e Twitter tetorin e kaluar ka vijuar që të propozojë ide dhe ndryshime në platformë duke shkaktuar jo pak herë konfuzion dhe pasiguri. Musk citohet të ketë thënë se:

 Kjo do t’u mundësojë përdoruesve që nuk paguajnë abonim mujor të paguajnë një çmim më të lartë për artikull kur duan të lexojnë herë pas here. Pra, është një fitore e favorshme për mediat dhe lexuesit.

Ai, megjithatë, nuk ka dhënë më shumë detaje për çmimet apo funksionimin e këtij modeli të ri. Ekspertët duke iu referuar përpjekjeve të mëparshme për këtë model, nuk presin që ideja e radhës e Musk të ketë shumë shanse suksesi.

Së fundmi pasuria e miliarderit ka pësuar një goditje të rëndë duke rënë me 13 miliardë dollarë në vetëm 24 orë. Në të njëjtën ditë kur raketa Starship e SpaceX shpërtheu në ajër pas lëshimit, edhe kompania e tij, Tesla, e makinave elektrike raportoi të dhëna tejet zhgënjyese në tremujorin e parë. Aksionet e Tesla-s ranë me 9,75% dhe fitimet me 20%.