Auto & Moto

Askush nuk do të punësohet në Tesla pa miratimin e tij, Elon Musk urdhëron!

CEO i Tesla-s, Elon Musk ka thënë së fundmi se kompania nuk do të mund të bëjë punësime të reja nëse ai personalisht nuk i miraton ato, duke përfshirë kontraktorët, sipas një kopje të e-mailit të parë nga Reuters. Sipas e-mailit, Musk iu tha drejtuesve që t’i dërgonin atij një listë të kërkesave për punësim në baza javore, teksa gjithashtu i paralajmëroi ata që të mendojnë me kujdes përpara se të paraqesin kërkesa të tilla.

“Askush nuk mund të bashkohet me Tesla-n, qoftë edhe si kontraktor, derisa të merrni miratimin tim të e-mailit”, tha Musk në e-mailin e tij. Muajin e kaluar, kompania publikoi marzhin e saj bruto tremujor më të ulët në dy vjet, duke munguar në vlerësimet e tregut, pasi uli çmimet në mënyrë agresive në tregje, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën për të nxitur kërkesën dhe për të shmangur konkurrencën në rritje.

Ndërkaq, deri më tani, Tesla ka rreth 3,500 punonjës me kohë të plotë në fabrikën gjermane në afërsi të Berlinit, më saktësisht në Greenheide. Shumë informacione rreth kushteve të punës së prodhuesve të makinave elektrike mund të gjenden në portalin e vlerësimit Kununu. Sipas atyre raporteve, programuesit ose inxhinierët fitojnë midis 63,700 dhe 71,600 euro bruto në vit. Nëse jeni punëtor në prodhim, mirëmbajtje apo logjistikë, paga vjetore është nga 33.900 euro deri në 41.400 euro.

Rikujtojmë, se Musk së fundmi emëroi Linda Yaccarino-n si shefe ekzekutive (CEO) të Twitter. Ai deklaroi se kjo do ta lejonte që të kishte më shumë kohë për ta menaxhuar kompaninë Tesla. Musk vuri në dukje se ai do të mbetet kryetar ekzekutiv, duke mbikëqyrur produktet, softuerët e sistemet e Tesla-s, aksionet e së cilës u rritën me më shumë se 2%, një shenjë që investitorët u shprehën të kënaqur me lëvizjen e fundit.