Bota

Avioni ukrainas i rrëzuar në Greqi, nxirren trupat e pajetë të ekuipazhit!

Trupat e pajetë të tetë anëtarëve të ekuipazhit të avionit ukrainas të mallrave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes, pasi mjeti fluturues u rrëzua të shtunën në mbrëmje, në Kavalla të Greqisë. Në spitalin grek të Komotinit, ekspertët kanë ekzaminuar trupat e pajetë të anëtarëve të ekuipazhit. Më pas, ia dorëzuan përfaqësuesve diplomatikë të Ukrainës në Greqi.

Shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk dihet. Më herët, zëdhënësi i zjarrfikësve, Janis Artofios, tha se gjatë hetimit të kryer në vendin e rrëzimit të avionit, nuk u gjetën materiale të rrezikshme. Ekipet e dërguara në terren nga autoritetet greke, po vazhdojnë që të lokalizojnë municionet e shpërndara pranë vendit ku ndodhi tragjedia ajrore. Avioni i nisur nga Nishi i Serbisë, kishte në bord anëtarë të ekuipazhit ukrainas. Po ashtu, u njoftua se po transportonte armë serbe për në Bangladesh.

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, bëri të ditur se mjeti fluturues rezultoi në pronësi të kompanisë “Meridian” nga Ukraina dhe ishte ngarkuar me 11.5 tonë armë të nisura nga territori serb për në Bangladesh. Një ditë më parë, në një konferencë për media, Stefanoviç konfirmoi se kompania ukrainase ka qenë pronarja e vetme e avionit dhe po dërgonte minahedhës e të tjera mina, të prodhuara nga kompania serbe “Valir”.

Zyrtari i qeverisë së Beogradit i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët ishin nisur për në Ukrainë, vend i pushtuar nga Rusia, duke theksuar se ato janë “dashakeqësi e të dëmshme për Serbinë”.

Sipas raportimeve, piloti i avionit informoi autoritetet përkatëse se po haste problem në njërin prej motorëve të avionit dhe atij iu kërkua që të ulej në aeroportin e Selanikut apo atë të Kavallës në Greqi. Pasi u nis në drejtim të Kavallës, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit, siç edhe konfirmon Autoriteti i Aviacionit Civil të Greqisë.