Komuniteti i Emigrantëve në Greqi ka reaguar dhe është shprehur i tronditur, pas zbulimit se Charalmabos ishte vrasësi i Carolines.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Komuniteti i Emigrantëve në Greqi shprehet se mediat greke nuk humbën aspak shansin të kultivojnë me vullnet stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.
Përmes deklaratës së tyre ata kanë kërkuar që mediat greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar.
Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë! -shkruhet në fund të postimit.
Një ditë më parë piloti 32-vjeçar, Babis Anagnostopulos u shoqërua nga policia greke për vrasjen e bashkëshortes së tij, 20-vjeçares Caroline në sy të foshnjës së tyre.
Pas shoqërimit në polici 32-vjeçari ka rrëfyer dhe pranuar vrasjen para hetuesve. Ai u mor në pyetje për 8 orë ku më në fund pranoi ngjarjen, pasi provat kundër tij ishin të pakundërshtueshme.
Policia greke ka dyshuar që në fillim se autori i vrasjes së 20-vjeçares në Glyka Nera të Athinës është piloti 32-vjeçar Babis Agnasatopoulos, pikërisht burri i saj. Presidenti i Policisë së Attikës, George Kalliakmanis thotë se që në fillim oficerët e kishin ndjesinë që burri ishte vrasësi dhe nga ftohtësia e tij kishin ngritur dyshime.