Rajoni

Drejt zbardhjes vrasja e Caroline në Greqi, përforcohen dyshimet drejt bashkëshortit!

Detaje të reja nga krimi që tronditi Greqinë disa javë më parë. Babis Anangnostopolos, bashkëshorti i viktimës Caroline është ndaluar në ceremoninë përkujtimore të 21-vjeçares  që po zhvillohej në ishullin Alonisos dhe është shoqëruar me helikopterin e policisë në Drejtorinë e Policisë së Atikës.

Sipas burimeve policore  32 vjeçari u shoqërua dhe do të japë shpjegime shtesë, lidhur me disa fragmente të ngjarjes që tronditi Greqinë në 10 dhe 11 maj dhe u bë publike në gjithë botën.

Babais Anagnastopulos, duhet të shpjegojë se kush hoqi kartat e kamerave të sigurisë  që ndodheshin në banesë gjatë orëve pas krimit, pa mbërritur ende policia në banesë.

Sipas analizës se videos, kamerat e banesës kanë kryer regjistrimin e fundit rreth orës 01:10 minuta, ndërkohë që sipas deklaratës së tij, grabitësit kanë hyrë në banesë rreth orës 04:00  dhe janë larguar rreth orës 05.40 të mëngjesit.

Çfarë ndodhi në banesë dhe kush pastroi ambientet prej çdo gjurme AND-je, çka bëri që agjentët të ngrenë pistën e dyshimeve edhe mbi të?

Agjentët do ta pyesin bashkëshortin e viktimës se si mund të ketë kontakte telefonike me persona të familjes së tij në orën që presupozohet se ishte i lidhur prej grabitësve.

Gjithashtu Anangnpstopulos do t’i duhet tashmë të shpjegojë hetuesve ndryshimet e regjistrimeve  që iu bë orës biometrike që viktima mbante në dorë, çka zhduku të dhënat e rrahjes të zemrës së viktimës, duke bërë të pamundur zbulimin e orës së saktë të vdekjes së saj.

Dhe së fundi, bashkëshorti i viktimës, do të duhet të sqarojë hetuesve edhe lidhur me kontratën  e sigurimit dhe kush diktoi  kushtet e saj, kontratë  që viktima kishte kryer vitin e fundit me një kompani sigurimi ku sipas kontratës, nëse Caroline do të humbte jetën, familjarët e mbetur  në jetë do të përfitonin 1.000.000 euro.

Hetimet do të vazhdojnë intensivisht ndërsa gjatë orëve në vazhdim priten deklaratat për zbardhjen e ngjarjes.

Bashkë me Anagnostopulos është shoqëruar edhe një person tjetër, ndërsa pritet të mësohet nëse në ekzekutimin e viktimës kanë marrë pjesë edhe persona të përfshirë në grupe kriminale.