Bota

Bëri dozën e para të vaksinës Astrazeneca, ndërron jetë gazetarja e njohur e BBC

Britania është shokuar nga lajmi për vdekjen e gazetares 44-vjeçare të BBC Lisa Shaw, disa ditë pasi mori dozën e parë të AstraZeneca. Lisa zhvilloi mpiksje gjaku dhe hemorragji cerebrale një javë pas dozës së parë të vaksinës, sipas një deklarate të familjes së saj.

Sipas mediave britanike, Lisa Shaw, pati dhimbje koke ‘të forta’ një javë pasi kishte marrë vaksinën dhe u sëmur rëndë disa ditë më vonë.

44 vjeçarja vdiq në Royal Victoria Infirmary, Newcastle, të premten pasdite, pasi ishte trajtuar në kujdes intensiv për mpiksjen e gjakut dhe hemorragjinë.

Lisa, nëna e një fëmije, ka punuar si gazetare në BBC Newcastle që nga viti 2015. Sidoqoftë, sipas BBC, mjekët do të hetojnë nëse shkaku i vërtetë i vdekjes së saj janë ndërlikimet pas vaksinës AstraZeneca.

Efektet e zhvillimi të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit me AstraZeneca konsiderohen jashtëzakonisht të rralla. Deri më tani, janë raportuar 332 raste dhe 58 viktima në Britani pas vaksinimit me AstraZeneca. Ndërkohë deri tani, 35 milionë britanikë janë vaksinuar me AstraZeneca.