Joe Biden, ngriti çështjen e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, gjatë takimit me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Presidenti amerikan tha se bëri të qartë rëndësinë e çështjes. Po ashtu, njoftoi se dy vendet arritën disa marrëveshje. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u kritikua për vizitën në Arabinë Saudite, vizitë që shihet si legjitimim për Qeverinë, pas vrasjes së gazetarit disident në tetor të vitit 2018, në Konsullatën e Riadit në Stamboll të Turqisë.
Nga agjencitë e inteligjencës amerikane, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman u akuzua se miratoi vrasjen e Jamal Khashoggit. Princi gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa prokurorët në Arabinë Saudite kanë akuzuar agjentët sauditë, që thanë se ai veproi vetë.
Biden deklaroi:
Sa i përket vrasjes së Khashoggit, e kam ngritur këtë temë gjatë takimit, duke e bërë të qartë se çfarë kam menduar për këtë çështje në kohën kur ndodhi dhe çfarë mendoj tani. Personalisht, Princi i Kurorës më tha se nuk është përgjegjës për vrasjen e gazetarit. Unë i lashë të kuptohet se mendoj se ai është.
E fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, kritikoi takimin e Bidenit me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite. Në prill të këtij viti, një gjykatë turke ndërpreu gjykimin ndaj sauditëve të dyshuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe bëri të ditur se do ta transferojë këtë gjykim në Arabinë Saudite.
Vendimi u kundërshtua nga grupet e të drejtave të njeriut. Ky vendim ishte i pritshëm, pasi më herët, prokuroria kërkoi që gjykimi në mungesë ndaj 26 të dyshuarve sauditë, të transferohej nga Stambolli në Riad. Ministria e Drejtësisë e mbështeti kërkesën.
Gazetari Khashoggi u vra në Konsullatën saudite në Stamboll, rreth katër vjet më parë. Vrasja e tij nxiti reagim ndërkombëtar dhe rriti presionin ndaj udhëheqësit de-facto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman.
Zyrtarët në Turqi shprehën bindjen se Khashoggi, kritik i ashpër i Princit të Kurorës, u vra dhe trupi i tij u masakrua në një operacion, që sipas presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, “ishte urdhëruar nga nivelet më të larta të Qeverisë saudite”. Por, raportet i kanë përmirësuar tashmë.