Bota

Biden në Izrael e Arabi Saudite/Në krye të axhendës, programi bërthamor iranian!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nis sot, të parin udhëtim në Lindjen e Mesme që nga marrja e detyrës, me Iranin në krye të axhendës në vizitat në dy vendet aleate të amerikanëve në Lindjen e Mesme: Izrael e Arabi Saudite, po ashtu rivale të ashpra të Republikës Islamike.

Udhëtimi përfshin një ndalesë tre-ditore në Izrael, për të diskutuar negociatat e fuqive perëndimore me Iranin për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Biden, i cili ishte zv.president në kohën kur president ka qenë Barack Obama dhe u arrit marrëveshja origjinale, e ka kthyer në prioritet të qeverisjes së tij, ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.

Për bisedime me udhëheqësit izraelitë, Joe Biden do të kalojë dy ditë në Jerusalem dhe më pas do të takohet me presidentin palestinez, Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor, të pushtuar. Më pas, shkon në Arabinë Saudite, ku pritet të bëjë presion për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Izraelit e sauditëve, armiq historikë, por që të dy kundërshtojnë gjithashtu lëvizjet e Iranit për të rritur ndikimin në rajon.

Fakti që presidenti Biden viziton Izraelin dhe më tej do të fluturojë drejtpërdrejt në Arabinë Saudite, përmbledh shumë nga dinamikat që kanë evoluar gjatë muajve të fundit.

Si Izraeli, ashtu edhe Arabia Saudite kundërshtojnë lëvizjet e Uashingtonit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore me Teheranin. Më 15 korrik, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të vizitojë qytetin saudit të Jeddah-ut për t’u takuar me Mbretin Salman e Princin e Kurorës, Muhamed bin Salman.

Presidenti amerikan, Donald Trump kishte marrëdhënie të ngushta me sauditët, por këto lidhje janë prishur që kur Biden mori detyrën, me administratën e tij duke mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj të dhënave të të drejtave të njeriut të Riadit. Marrëveshja e vitit 2015 përcakton që Iranit t’i hiqen sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të heqjes dorë nga aktiviteti bërthamor.