Aktualitet

“Ata nuk të duan atje, duhet të tërhiqesh”, Trump kërkesë Netanyahut: Largo trupat izraelite nga Siria dhe Libani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të nisë tërheqjen e forcave izraelite nga Siria dhe të ndërmarrë hapa të ngjashëm në Libanin jugor, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të enjten, raportoi Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

Sipas raportit, Trump i tha Netanyahut se prania ushtarake izraelite në Siri po rrit tensionet dhe mund të çojë në një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit. “Ata nuk të duan atje. Duhet të tërhiqesh”, mësohet t’i ketë thënë presidenti amerikan, duke shtuar se i njëjti qëndrim vlen edhe për Libanin.

Kërkesa e Trump vjen në një moment politik të ndjeshëm për Netanyahun, ndërsa Izraeli po i afrohet zgjedhjeve që konsiderohen vendimtare për të ardhmen e tij politike. Megjithatë, sipas zyrtarëve të cituar nga Axios, nuk pritet që kryeministri izraelit të ndërmarrë tërheqje të rëndësishme përtej angazhimeve që ka marrë tashmë.

Nga ana e tij, Netanyahu ngriti gjatë bisedës çështjen e krijimit të zonave të sigurisë përgjatë kufijve të Izraelit, ndërsa qeveria izraelite vazhdon të argumentojë se prania ushtarake në Siri dhe Libanin jugor është e domosdoshme për të parandaluar sulme të ngjashme me ato të 7 tetorit.

Telefonata mes dy liderëve u zhvillua një ditë pasi Trump u takua me presidentin sirian Ahmed al-Sarrah në kuadër të Samitit të NATO-s në Turqi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, administrata e Trump prej muajsh po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje të re sigurie mes Izraelit dhe Sirisë, por negociatat kanë ngecur për shkak të hezitimit të Izraelit për t’u tërhequr nga territoret siriane të pushtuara pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024.

Ndërkohë, në Libanin jugor po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për zbatimin e një marrëveshjeje që parashikon tërheqjen graduale të forcave izraelite nga dy zona të kontrolluara ende prej tyre dhe vendosjen e ushtrisë libaneze. Megjithëse Izraeli është zotuar ta zbatojë marrëveshjen, procesi nuk ka nisur ende.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi zyrtarisht për përmbajtjen e telefonatës, por nuk i mohoi raportimet. Një zyrtar amerikan i tha Axios se marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut mbeten të forta, duke theksuar se Izraeli vazhdon të jetë një aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara.