Bota

Bill Gates: “Fundi i vitit 2022, rikthim në normalitet nga pandemia!”

Bill Gates parashikon fundin e vitit 2022 si kohën më të mundshme që bota t’i rikthehet normalitetit nga pandemia koronavirus. Sipas miliarderit, “vaksinimi anti-COVID do të ndihmojë procesin” ndërsa vuri në dukje se “vaksinat po zhvillohen me shpejtësi të jashtëzakonshme”. Duke folur për gazetën polake “Gazeta Wyborcza”, Gates tha se “pandemia koronavirus është tragjedi e pabesueshme”.

Ish-shefi ekzekutiv i Microsoft Corporation kujton kohën kur në vitin 2015 paralajmëroi botën mbi rrezikun e një pandemie e për këtë kërkoi investime që nuk u bënë kur duhej. Fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” ka ndarë të paktën 1.75 miliardë dollarë për luftën globale kundër COVID-it, duke përfshirë mbështetjen për disa prodhues të vaksinave, diagnostikimin dhe trajtimet e mundshme.

I pyetur mbi akuzat se qëndron pas pandemisë që të kontrollojë botën, Gates u shpreh se

Në kohë të vështira, njerëzit e kanë më të lehtë të mendojnë se ka një arsye djallëzore pas sfidës me të cilën përballen.

Ndërkaq, nuk la pa përmendur se të tilla teori u përhapën më shpejt me ndihmën e rrjeteve sociale. Gjithashtu paralajmëron se “Eshtë me të vërtetë tragjike që dikush nga frika e një komploti, nuk mban maskë ose nuk dëshiron të vaksinohet”.