Bota

Blinken në Izrael për të kërkuar më shumë ndihmë humanitare për Gazën!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhet në Izrael për të bërë presion që më shumë ndihma humanitare të lejohen të hyjnë në Gaza. Kjo në kohën kur trupat izraelite kanë forcuar rrethimin e qytetit më të madh të Rripit të Gazës, për ta fokusuar fushatën në shtypjen e grupit militant Hamas, që drejton këtë enklavë.

Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael, që nga sulmi i Hamasit. Pas Tel Avivit, zyrtari i lartë do të shkojë në Aman të Jordanisë dhe vizita e kryediplomatit pason sugjerimin e presidentit amerikan, Joe Biden për një “pauzë” humanitare të luftimeve.

Synohet të lejohet më shumë ndihmë për palestinezët dhe që shtetasit e huaj e të plagosurit të mund të largohen nga Gaza. Deri tani, rreth 800 persona lanë Rripin e Gazës në dy ditët e fundit.

Izraeli ende nuk ka reaguar lidhur me sugjerimin e Biden-it. Por, paraprakisht, kryeministri Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit.

Ne po avancojmë, asgjë nuk do të na ndalë. Hamasin do ta shkatërrojmë!

Shtetet e Bashkuara janë zotuar për mbështetje të palëkundur për Izraelin, pasi militantët e Hamasit vranë mbi 1 mijë e 400 persona më 7 tetor dhe rrëmbyen më shumë se 240 vetë.

Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Në të njëjtën kohë, administrata Biden ka kërkuar që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gaza, pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

Në kufirin verior me Libanin, tensionet po vazhdojnë të përshkallëzohen para fjalimit të planifikuar për më vonë gjatë ditës nga lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ky do të jetë fjalimi i tij i parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin muajin e kaluar, duke nxitur frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të shndërrohet në rajonal.

Edhe dje, Hezbollahu, aleat i Hamasit, sulmoi pozicionet izraelite në veri duke kryer sulme me dronë e mortaja. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me sulme me avionë dhe helikopterë luftarakë.

Që kur nisi lufta në Gazë, më 7 tetor, Hezbollahu ka ndërmarrë hapa për të angazhuar ushtrinë izraelite në kufi me Libanin, por nuk ka ndonjë përshkallëzim që do të nxiste luftë.