Bota

Blinken: Përparim i matshëm i situatës humanitare në Gaza!

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parë “përparim të matshëm” në situatën humanitare në Gaza gjatë javëve të fundit”. Kështu tha sot sekretari i Shtetit, Antony Blinken, por i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë. Duke folur në Riad të Arabisë Saudite, Blinken u shpreh se mënyra më efektive për të lehtësuar krizën humanitare në Gazë është arritja e një armëpushimi. Gjithashtu, tha se Uashingtoni vazhdon përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e luftës atje.

Blinken shkoi sot në Arabinë Saudite, në ndalesën e parë të një udhëtimi më të gjerë në Lindjen e Mesme për të diskutuar disa çështje, përfshirë qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta me Izraelin.

Kryediplomati amerikan do të shkojë në Izrael në fund të kësaj jave, ku ai pritet të bëjë presion ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ndërmarrë hapa konkretë që kërkoi presidenti Joe Biden për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.

Në Riad, Blinken pritet të takohet me liderë të lartë sauditë e të zhvillojë një takim më të gjerë me homologët e Katarit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë për të çuar më tej diskutimet mbi atë si do të dukej qeverisja e Rripit të Gazës pas luftës.

Blinken pritet të bashkojë edhe vendet arabe me shtetet eeropiane e të diskutojë si Europa mund të ndihmojë përpjekjet e rindërtimit të enklavës së vogël, e cila është kthyer në shkretëtirë nga bombardimet izraelite.

Luftëtarët islamikë të grupit militant palestinez, Hamas, grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e BE-ja, sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1.200 njerëz dhe rrëmbyer 253 pengje. Më pas, Izraeli vendosi një rrethim total në Gaza e nisi një sulm ajror dhe tokësor që ka vrarë më shumë se 34 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Nga Riadi, Blinken do të shkojë në Jordani e Izrael ku fokusi i udhëtimit do të zhvendoset në përpjekjet për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza. Në Aman, Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë jordanezë dhe grupe humanitare për të dëgjuar mbi përmirësimet, se çfarë duhet bërë më shumë. Më pas, reagimet do t’ia dërgojë izraelitëve.