Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot të vranët dhe reshje shiu, të bëra prezente që prej orëve të mesnatës me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, fillimisht në veri të territorit.
Gradualisht, reshjet shpërndahen në të gjithë territorin në formën e rrebesheve të shpejta e me shkarkesa elektrike, si dhe lokalisht breshër ndërsa nga orët e mesditës e deri pasdite, reshjet parashikohen me intensitet mesatar deri të lartë, kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Peshkopi, Durrës, Tiranë, Elbasan e pjesërisht qarku i Vlorës.
Mjegull e dendur lokale dhe mjegullina janë prezente në orët e para të mëngjesit e të mbrëmjes, si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Era fryn intensive me drejtim nga kuadrati i jugut e me shpejtësi mesatare 3-12 m/s ndërsa hera-herës në bregdet, fiton shpejtësi 14-24 m/s. Valëzimi në dete është i lartë, i forcës 3-6 ballë.
Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 7 deri 15°C;
në zonat e ulëta 11 deri 19°C;
në zonat bregdetare 13 deri 19°C