Ndërsa sot vendi ynë është përfshirë nga shirat, nga Himara raportohet se si pasojë e reshjeve të dendura është bllokuar rruga kryesore e fshatit Shënvasil, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave.
Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje të shpejtë të mjeteve të rënda për pastrimin e rrugës, pasi lëvizja është vështirësuar ndjeshëm dhe rreziku mbetet i pranishëm.
Ndërkaq, si rezultat i erërave të forta, disa pemë janë rrëzuar gjatë orëve të para të mëngjesit në zonën e Pyllit të Sodës, duke shkaktuar rrezik për qarkullimin e automjeteve.
Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një automjet u përplas me një nga pemët e rrëzuara në rrugë, çka për disa minuta solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Nisin shkarkimet në tre hidrocentralet e Kaskadës së Drinit
Reshjet e shiut kanë bërë që të nisin shkarkimet intensive në tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin. Në Fierzë, shkarkimet janë 1000 m3/ sekondë, në Koman 800 m3/ sekondë dhe në Vaun e Dejës, po 800 m3/ sekondë.