Ylli portugez Cristiano Ronaldo po ndërton një banesë në rivierën portugeze por nuk po arrin të gjejë një shef kuzhine të specializuar në përgatitjen e sushit. Pas transferimit të tij në Arabinë Saudite, u duk se punët po shkonin mirë për Cristiano Ronaldo-n, por mesa duket nuk qenka kështu.
Ai nuk po gjen dot një shef kuzhine të specializuar në përgatitjen e sushit edhe pse është i gatshëm ta paguajë 5100 Euro në muaj. Ikona portugeze po planifikon jetën pas tërheqjes nga futbolli dhe rezidenca e tij në rivierën portugeze, e cila ka një vlerë prej 19.5 milion eurosh do të përfundojë në qershor. Pallati luksoz pritet të jetë gati deri në qershor, por është hasur me probleme sa i përket plotësimit të vendeve të lira të punës.

Kuzhinieri që Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina kërkojnë duhet që të jetë në gjendje të përgatisë pjata të shumëllojshme. Përveç gatimeve tradicionale portugeze, kusht është edhe përgatitja e sushit. Kuzhinieri i përzgjedhur do të përfitojë 62 mijë euro në një vit. 37-vjeçari kërkon edhe një maxhordom, rroga e të cilit do të jetë 66 mijë euro në një vit. Rezidenca në Quinta da Marinha është disa katëshe dhe Cristiano Ronaldo ka planifikuar që të jetojë me familjen e tij pasi të dalë në pension.

Edhe pse fillimi i vitit 2023 erdhi me thashethemet për një krizë të supozuar në marrëdhënien e Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez, kjo histori duket se po zbehet gjithnjë e më shumë. Mungesa e supozuar e afërsisë e treguar në disa fotografi në të cilat ata shfaqeshin së bashku, situata e vështirë që kaloi Ronaldo në Katar 2022 dhe solemniteti që ajo shfaqi në prezantimin e sulmuesit me Al-Nassr, ishin shenjat e supozuara që mori shtypi.