Rajoni

Pas takimit me Vuçiçin, Kurti: Dakordësia e arritur është njohje de facto Kosovë-Serbi!

Për takimin me presidentin serb, dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Albin Kurti deklaroi se “dakordësia e arritur është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”. I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, shefi i qeverisë tha:

Bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u shpreh se “formimi i Asociacionit është bërë detyrim me prioritet”.

Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë. Pavarësisht dallimeve, kishim një bisedë të mirë.

Kujtojmë se fillimisht Vuçiç e më pas Kurti, një ditë më parë zhvilluan takime të ndara me kryediplomatin e Unionit, Josep Borrell e me të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Bisedimet i paraprinë takimit të përbashkët, i cili zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.

Në cilësinë e vëzhguesit, i pranishëm në takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Duke komentuar dakordësinë mes palëve, Escobar tha se “hapet dera për një integrim më të madh euro-atlantik të të dy vendeve”.

Kjo hap derën edhe për rajonin, që të hyjë në një epokë të re të paqes. Mund t’ju them se SHBA-të zotohen të ndihmojnë me zbatimin e Marrëveshjes, që të funksionojë për të dyja vendet e për rajonin.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, por Serbia ende vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj. Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar e po fajësojnë njëra-tjetrën për bllokim.

Muajt e fundit, komuniteti ndërkombëtar ka rritur trysninë mbi dy vendet për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kjo nga frika se Rusia mund të përpiqet t’i shfrytëzojë tensionet ndërmjet tyre, për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.