Rajoni

Dhunimi i të moshuarës, jo i vetmi rast në azilin privat në Pejë/U denoncua edhe më parë!

Pas rastit drithërues të dhunimit të nënës së dëshmorit kosovar, Taulant Nura në azilin privat në Pejë të Kosovës, një tjetër denoncim vjen ndaj kësaj qendre. Një qytetar nga Kosova, i identifikuar si Tomor Hasani, thotë se për një të afërme, gjithashtu e moshuar (halla e babait të tij) i ka dërguar ankesë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk mori përgjigje.

Madje, në një prononcim për mediat, Hasani tha se nga pronari i Qendrës “Orenda”, Anton Rasaj iu bë presion familjarëve për ta detyruar ta tërhiqte ankesën pranë dikasterit përkatës. Ai saktësoi se nuk kishin të bënin me keqtrajtim fizik, por se e afërmja ankohej për mungesë përkujdesi nga infermieret në orët e natës.

Fatkeqësisht pas ankesës time nuk është marrë asnjë masë nga institucioni në fjalë. Përkundrazi, fëmijëve të familjares time që është e vendosur aty, u është bërë presion nga pronari i kësaj qendre Anton Rasaj, që të më bindin ta tërheq këtë ankesë.

Dhuna çnjerëzore përcjellë nga pamjet shokuese të një mjedisi ku supozohet se personeli trajnohet që të sensibilizohet për të respektuar nevojat e personave të moshuar, nuk la indiferentë zyrtarët më të lartë të Kosovë. Edhe kryeministri Albin Kurti reagoi për rastin e Pejës. Shefi i qeverisë së Prishtinës e cilësoi “ngjarje të tmerrshme”, si dhe bëri të ditur se organet kompetente kanë nisur punën për të çuar përpara drejtësisë përgjegjëset.

Ajo që pamë ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuarën, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar.

Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndenjën dhe përkujdesjen qytetare.