Gjykata e Fierit caktoi masat e sigurisë për tre vajzat e përfshira në ngjarjen e rëndë të dhunimit të një 17-vjeçareje, çka u bë publike përmes pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Me kërkesë të Prokurorisë, vendosi “Arrest në burg” për shtetasen L.L., “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G., ndërsa për të miturën M.R, “Shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik”.
Të dyshuarat po hetohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.
Organi i akuzës bën të ditur se hetimet kanë nxjerrë fakte që kanë krijuar dyshime të arsyeshme për ekzistencën e kësaj vepre penale dhe kjo diktoi nevojën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim.
Duke qenë se në këtë procedim janë të përfshirë të mitur, Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave, të mos publikojnë apo ripublikojnë pamje apo të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tyre, në respekt të privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të të miturve.
Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë hetimet.