Rajoni

Dorëzoi aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në BE, Kurti: Ngjarje e jashtëzakonshme!

Siç u paralajmërua, sot Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në ceremoninë e mbajtur në Pragë të Çekisë, vendit që ka Presidencën e radhës së Unionit, kryeministri Albin Kurti tha se “aplikimi është ngjarje e jashtëzakonshme për demokracinë në Europë”. Në selinë e qeverisë çeke, Kurti ia dorëzoi dokumentin ministrit për Çështje Europiane, Mikulash Bek.

Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim. Jam i vetëdijshëm që rruga për në Bashkimin Europian bazohet në merita të vetë shtetit. Nuk kërkojmë derë anësore ose procedurë të shpejtë për hyrje në BE.

I pyetur në lidhje me pengesat që mund të paraqesin pesë shtetet e Bashkimit Europian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Kurti kujtoi se kur Prishtina e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asoci’imit, Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania e Greqia ishin dakord.

Nuk besoj se pakica e shteteve anëtare të BE-së që ende nuk njohin pavarësinë do të jenë kundër bashkimit tonë me familjen europiane.

Ndërkaq, ministri për Çështje Europiane i Çekisë, Mikulash Bek, u shpreh se “e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së”.

Vlerësojmë dhe çmojmë arritjet e Kosovës deri më tani. Ne po plotësojmë një nga prioritetet e Presidencës sonë (të BE-së), sepse në gjashtë muajt e fundit u kemi dhënë vëmendje të jashtëzakonshme çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.

Ashtu siç u paralajmërua më herët, një ditë më parë, liderët shtetërorë nënshkruan aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Firmat në dokument i hodhën presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti. Ky zhvillim shënohet në mesin e tensioneve në veriun e Kosovës ku serbët lokalë mbajnë barrikada në rrugë, duke bllokuar akset që çojnë për në pikëkalimet kufitare me Serbinë.