Bota Tech

Elon Musk ka një përgjigjje lidhur me kërkesën e zyrtarit të OKB-së mbi pasurinë e tij!

“Pak nga njerëzit më të pasur në botë mund të zhdukin urinë nga planeti nëse dhurojnë një pjesë të vogël të pasurisë së tyre”. Kjo sipas drejtorit të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së. Në një intervistë për CNN, David Beasley u bëri thirrje miliarderëve që të ndërhyjnë tani, madje duke iu drejtuar dy njerëzve më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk. Ndërkaq, ai u shpreh se:

Gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të vdesin nga uria.

Lidhur me këtë deklaratë së fundmi ka reaguar dhe Elon Musk. Në një postim të fundit në Twitter, Musk ka shprehur se është i gatshëm që të dhurojë një pjesë të pasurisë së tij për t’i dhënë fund krizës së urisë në botë, mjafton që Organizata e Kombeve të Bashkuara t’i vërtetojë se si 6 miliardë dollarë do t’i japin fund krizës.

Nëse Programi Botëror i Ushqimit mund të përshkruajë saktësisht se si 6 miliardë dollarë do të zgjidhin krizën e urisë, unë do të shes aksionet e Tesla-s tani dhe do ta bëj.

Duke qenë se Elon Musk ka një pasuri prej 289 miliardë dollarësh, në fakt kreu i programit ushqimor të OKB-së po i kërkon atij të dhurojë vetëm 2% të pasurisë së tij. Musk, shefi i ”Tesla Motors”, mund të bëhet trilioneri i parë në botë me SpaceX, sipas ”Morgan Stanley”. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij vjen nga kompania e tij e automjeteve elektrike ”Tesla”, por me rritjen e SpaceX në eksplorimin dhe turizmin e hapësirës, ​​është vetëm çështje kohe para se Musk të rrëmbejë etiketën e trilionerit të parë në botë.