Celebrities Film & Tv Showbiz

Ermal Mamaqi zbulon ekskluzivisht detaje nga sezoni i dytë i “H.O.T”: “Jetoj me Megi Pojanin, njerëzit do të qajnë…”

Aktori i njohur i humorit Ermal Mamaqi ka qenë mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”. Ai ka rrëfyer më shumë mbi projektet e tij kinematografike, jetën familjare, momentet e errëta që ka kaluar në jetë, por jo vetëm. Ai madje kishte dhe një replikë për Luiz Ejllin, i cili u shpreh se Mamaqi është një shkrimtar më i mirë se humorist dhe se dikush bleu librin e tij për t’i grisur fletët për të shitur gështenja. Zbulojeni në këtë link.

Këtë të diel në Top Channel nis sezoni i dytë i serialit “H.O.T”. Çfarë ka ndryshuar në këtë sezon dhe çfarë e pret publikun?

Ka ndryshuar shumë zhaneri, është bërë më shumë dramë. Njerëzit do të qajnë, madje që në episodin e parë. Unë do filloj të jetoj me Megi Pojanin. Jonida Vokshi ndahet përfundimisht nga unë. Konfirmohet një marrëdhënie e vjetër. Kemi një hyrje të re, Zamira Kita vjen në rolin e mamasë time. Djali i Zamirës, pra vëllai im nga mamaja, është djali im, Joeli. Inis Gjoni ka bërë një realizim mjaft të arrirë në këtë sezon. Do pëlqehet shumë nga publiku. Jam i lumtur që po jepet në Top Channel dhe në orarin e “Portokallisë”.

Me cilët nga aktorët ke pasur një marrëdhënie më të afërt?

Me Xhodën, Jonidën dhe Anën. Na shkon muhabeti dhe ndihemi mirë në praninë e njëri-tjetrit. Është e rëndësishme që aktorët të sillen mirë edhe pas xhirimeve. Është ndihmuese edhe për stafin sepse janë disa që janë aktorë shumë të talentuar e të mirë, por janë tipa të vështirë, vonohen…

Çfarë mund të na thuash për filmin “Dy gisht mjaltë 2”?

Do të jetë 10 herë më i bukur. Zakonisht nuk është mirë t’i rrisësh pritshmëritë e njerëzve, por unë po e bëj. Është filmi më i mirë që kam bërë. Xhirimet janë bërë në Zvicër. Është film shumë i mirë, do të jetë një rekord i ri në industri. Unë, Bujar Asqeriu, Cekja do zbresim nga një helikopter (qesh). Filmi do të shfaqet në kinema më 14 shkurt.