Sport

Euro 2020 rinis më 2 korrik me çerekfinalet, Ukraina e kualifikuara më e fundit!

Ukraina është skuadra më e fundit që siguroi kalimin në çerekfinale të Euro 2020 dhe mbrëmjen e 3 korrikut do të përballet me Anglinë, në Stadiumin Olimpico të Romës. Djemtë e Shevës mundën Suedinë. Pas 90 minutëshit të mbyllur në barazim 1-1 në Hampden Park të Gllasgout ishte Dovbyk, i cili në sekondat e fundit të shtesës përmbysi rezultatin dhe i dha fitoren Ukrainës. Ukrainasi Oleksandar Zinchenko u shpall lojtari i ndeshjes si më i miri në fushë, me notën 8.9 dhe i dyti futbollisti suedez Emil Forsberg me 8.1.

Trajneri Andriy Shevchenko:

Jam shumë krenar për djemtë që dhanë gjithçka! Suksesi i shkon popullit ukrainas, për të cilin luajtëm me zemër.

Sa i përket ndeshjes që i pret me Anglinë, Sheva tha:

Shpresoj që në Itali të na mbështesin tifozët pasi do të kemi nevojë! Përballë një skuadre të fortë, sfida do të jetë shumë e vështirë.

Si lojtar, Shevchenko ka dhënë rezultate të mira e tashmë është trajner, përvoja që i përshkruan si “emocione të ndryshme” që sipas tij “vlen t’i provosh!”.

Në përballjen me Ukrainën, Anglia shkon krenare pasi mundi Gjermaninë me rezultatin 2-0. Trajneri Gareth Southgate foli për një rezultat të madh e theksoi se shkruajtën historinë.

Tekniku gjerman Joachim Low nuk e fshehu zhgënjimin e madh e vuri në dukje se nuk u shfrytëzuan të gjitha rastet ndonëse kishin besim në një rezultat të mirë.

Në ndeshje të këtij niveli është e rëndësishme të shfrytëzohet çdo mundësi!

Sot dhe nesër nuk do të luhet asnjë ndeshje në Euro 2020. Takimet ristartojnë të premten e 2 korrikut me Zvicër-Spanjë në orën 18:00 e në 21:00, Italia do të përballet me Belgjikën.

Të shtunën më 3 korrik, radha e ndeshjes Republika Çeke-Danimarkë e Ukrainë-Angli, në të njëjtat orare: 18:00 dhe 21:00. Gjysmëfinalet zhvillohen në datat 6 e 7 korrik ndërsa finalja më 11 korrik.