Bota Food & Drink Health & Beauty

Europa e para në botë për konsumin e alkoolit, OBSH: Alkooli kancerogjen i Grupit 1!

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH jep shifrat dhe nuk fsheh shqetësimin: Europa kryeson në nivel global për nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit. Janë në kontinentin e vjetër, tetë nga dhjetë shtetet me konsumin më të lartë të alkoolit në botë, duke përfshirë këtu Islandën, Norvegjinë e gjithashtu Ukrainën. Në mënyrë të përsëritur, ekspertët japin alarmin se abuzimi me alkoolin, jo vetëm që shkakton dëme ekonomike e gjithashtu vë nën presion sistemet sociale e ato shëndetësore të vendeve respektive, por për më tepër bëhet shkak edhe për tumoret.

Të dhënat zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të lidhura me alkoolin në Europë. Referuar përfundimeve të studimeve të ndryshme, specialistët e çështjeve shëndetësore kanë theksuar se në vendet e Bashkimit Europian, rreth gjysma e rasteve të kancerit të gjirit të gratë e vajzat janë të lidhura me alkoolin, madje edhe në raste të konsumit të lehtë ose të moderuar. Hans Henri P.Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Europën:

Alkooli është një kancerogjen i Grupit 1, në të njëjtën kategori si arseniku, asbesti e duhani. Megjithatë shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e shumta që paraqet alkooli për shëndetin e tyre.  Kanceri është arsyeja kryesore e vdekjeve të lidhura me alkoolin në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Vetëm në vitin 2016, pothuajse 80 mijë njerëz vdiqën nga format e tumoreve të lidhura me alkoolin.

Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH ka nisur një fushatë, të financuar në shumën 10 milion euro, me qëllimin për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik e të politikëbërësve mbi lidhjet alarmante mes konsumit të alkoolit e rreziqeve të kancerit. Projekti i OBSH-së planifikon të përmirësojë etiketat paralajmëruese shëndetësore për pijet alkoolike, kontrollin e alkoolit e po ashtu të forcojë edukimin shëndetësor mbi këtë temë.