Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj zhurmës së trafikut rrugor mund të lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit. Në këtë përfundim ka dalë studimi më i madh i kryer deri tani për këtë çështje.
Studimi, i botuar në revistën JAMA Neurology, përfshiu 3.1 milionë persona në Danimarkë, të moshës 40 vjeç e lart, të cilët u ndoqën për 18 vite.
Sipas rezultateve, për çdo rritje prej 11.5 decibelësh të zhurmës në pjesën më të ekspozuar të shtëpisë, rreziku për Parkinson u rrit me 3% gjatë periudhës së studimit. Nga ana tjetër, të pasurit e një pjese më të qetë të shtëpisë mund ta ulë rrezikun
Autorët thonë se studimet e mëparshme kanë treguar se zhurma e vazhdueshme mund të ndikojë në organizëm përmes stresit dhe çrregullimeve të gjumit. Mendohet se pagjumësia kronike e shkaktuar nga zhurma rrit nivelin e kortizolit, hormonit të stresit.
Studiuesit morën në konsideratë edhe ndotjen e ajrit, megjithëse nuk kishin të dhëna për stilin e jetesës së pjesëmarrësve. Sipas tyre, lidhja mes zhurmës dhe Parkinsonit u vu re pavarësisht nivelit të arsimit apo të ardhurave.
Megjithatë, ekspertë që nuk morën pjesë në studim theksojnë se rezultatet nuk provojnë se zhurma e trafikut shkakton drejtpërdrejt Parkinsonin. Ata vlerësojnë se zhurma mund të jetë një faktor i përgjithshëm stresi dhe se nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar më mirë rolin e saj.
Sipas autorëve, gjetjet e këtij studimi e zhvendosin zhurmën e mjedisit nga një faktor i hamendësuar në një faktor të besueshëm rreziku që meriton të hetohet më tej. Ata kujtojnë se ekspozimi kronik ndaj niveleve të zhurmës mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prek pothuajse një të tretën e europianëve.