Lifestyle Love & Sex

Frikë nga martesa dhe përkushtimi në marrëdhënie, ja çfarë është ky çrregullim!

Keni dëgjuar ndonjëherë për gamofobinë? Nëse nuk e njihni me këtë term, sidoqoftë është e sigurtë që do të keni dëgjuar për frikën nga martesa. Njerëzit që vuajnë nga gamofobia shpesh ndiejnë njëfarë ankthi kur përmendet martesa dhe kjo fobi mund të trajtohet me ndihmën e një profesionisti dhe terapisë.

Nëse njihni dikë që është gjatë gjithë kohës në një marrëdhënie, por për periudha të shkurtra dhe me njerëz të ndryshëm, ka mundësi që ky person të vuajë nga gamofobia. Gamofobia është një frikë e fortë nga angazhimi afatgjatë ose ndryshe frika nga martesa.

Një ndarje e dhimbshme, divorci ose përvoja traumatike në fëmijëri ose moshë madhore mund t’i bëjë njerëzit të kenë frikë t’i përkushtohen dikujt që duan. Kjo fobi mund të prekë si burrat ashtu edhe gratë pa dallim gjinie. Njerëzit me gamofobi mund të përjetojnë edhe simptoma fizike si marrje mendsh, rrahje zemre të forta, dridhje ose shqetësim në stomak. Kjo mund të ndodhë kur ata thjesht mendojnë të krijojnë një marrëdhënie serioze me dikë tjetër.

Çuditërisht, gjenetika gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në gamofobi, sipas dr. John Lucas, profesor në universitetin e Weill Cornell në New York. Ai shprehet se ajo që ne shpesh e quajmë ‘temperament’, është e lidhur shumë edhe me gjenetikën tonë. Ekspertët sidoqoftë, bien dakord se për të tejkaluar gamofobinë, kërkohet një punë e vazhdueshme me veten dhe terapi që do t’ju ndihmojë të kuptoni rrënjët e gamofobisë dhe si ta tejkaloni atë.

Rikujtojmë se, një martesë e keqe me konflikte të shpeshta mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin tuaj, sipas studimeve të fundit të psikologëve. Hulumtuesit e universitetit të Nevada-s dhe Michigan-it kanë analizuar 373 çifte për të parë nëse mosmarrëveshjet rreth çështjeve të ndryshme, siç janë çështjet e fëmijëve, financave, aktiviteteve gjatë kohës së lirë, etj., kanë ndikim negativ në shëndet.