Në Gjeorgji, prokurorët njoftuan nisjen e hetimeve për zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit, mes akuzave se procesi u manipulua. Partia në pushtet Endrra Gjeorgjiane fitoi me 54% të votave, sipas Komisionit të Zgjedhjeve, një shifër që i jep kësaj force politike një shumicë të qartë në parlament. Opozita pretendon se “zgjedhjet janë manipuluar”. Edhe vendet perëndimore e vëzhguesit ndërkombëtarë ngritën shqetësime, duke përmendur raste të frikësimit të votuesve, blerjes së votave, votimit të dyfishtë e dhunës.
Në fillim të javës, opozita doli në protesta në rrugët e Tbilisit duke denoncuar rezultatet që siguruan një tjetër mandat për partinë në pushtet. Prokurorët kanë thirrur për të dëshmuar presidenten e vendit, Salome Zourabichvili, e lidhur me opozitën pro-perëndimore por ajo shtroi pyetjen se përse duhet të japë dëshmi për manipulimin e zgjedhjeve?
Nuk i takon presidentit të sigurojë prova për manipulimet zgjedhore. Vëzhguesit dhe qytetarët e zakonshëm kanë treguar prova se sa masiv ishte manipulimi i zgjedhjeve. Organi hetimor duhej t’i kishte gjetur vetë provat.
Të hënën, në një intervistë me agjencinë Reuters, kryetarja e shtetit hodhi akuza se “Endrra Gjeorgjiane përdori një metodologji ruse për të falsifikuar disa rezultate zgjedhore”. Kryeministri Irakli Kobakhidze, anëtar i partisë Endrra Gjeorgjiane, i bëri thirrje Zourabichvili-t që t’u dorëzojë autoriteteve provat e manipulimit. Ai beson se presidentja nuk ka prova të tilla.
Zourabichvili deklaroi se opozita po bën thirrje për një hetim “të kryer nga një mision ndërkombëtar me mandatin dhe kualifikimin e duhur” për të parë se si u zhvilluan zgjedhjet.
Derisa kjo të ndodhë, këto zgjedhje nuk mund e nuk do të kenë legjitimitet apo besueshmëri.
Disa vëzhgues të procesit u treguan të kujdesshëm në lidhje me etiketimin e zgjedhjeve të Gjeorgjisë si “të manipuluara”. Disa vëzhgues, përfshirë Organizatën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë, OSBE, pranuan se kishte raportime për parregullsi votuesish por organizata nuk i quajti “të manipuluara” votimet.
Rusia ka mohuar të ketë ndërhyrë në zgjedhjet e Gjeorgjisë e që erdhën në një moment vendimtar për ish-republikën sovjetike që po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Partia Endrra Gjeorgjiane, nga shumë njerëz shihet si më e lidhur me Rusinë se me BE-në.