Bota

Vëzhguesit: Rezultati i zgjedhjeve në Gjeorgji nuk përputhet me vullnetin e popullit!

Vëzhguesit europianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe theksuan se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë deklaruan se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

Njoftimet për presionet ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit, tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Zyrtarët e OSBE-së shtuan se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë, veçanërisht në zonat rurale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Partia në pushtet Endrra Gjeorgjiane kishte siguruar më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare por rezultati u kundërshtua nga opozita.

Udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.

Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do t’i pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për t’u konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet. Qëndrimi ynë është se duhen patjetër protesta, duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se ata.

Komentet i bënë pas një takimi me presidenten e vendit, Salome Zourabishvili. Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.

ISFED, një grup monitorues vendas tha se kishte regjistruar shkelje në proces, përfshirë mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime, dhënie ryshfeti dhe frikësim të votuesve, që mund të ketë ndikuar te rezultati. Përfaqësuesit e grupit shtuan se nuk kishin vënë re shkelje thelbësore në procesin e numërimit të votave, shumica e të cilave u numëruan në mënyrë elektronike.

Komisioni Zgjedhor dhe partia Endrra Gjeorgjiane thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi akuzat e opozitës.

Fakti që e njëjta parti mund të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian, deklaroi miliarderi dhe themeluesi i partisë Endrra Gjeorgjiane, Bidzina Ivanishvili. Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar përçarje mes gjeorgjianëve. Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Endrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.