Celebrities Music South Outdoor Festival - News

Gjithçka që ndodhi natën e dytë të “South Outdoor Festival”!

Gjatë natës së parë të “South Outdoor Festival” menduam se i pamë të gjitha, dëgjuam muzikë të mirë dhe shijuam atmosferën e mrekullueshme të festivalit. Epo mesa duket kishte edhe më, teksa nata e dytë ishte edhe më e zjarrtë, me muzikën më të mirë nga artistët shqiptarë dhe të huaj dhe atmosferën dhe energjinë shumë pozitive. Mbrëmjen e paharrueshme e nisi “Urban Band” grupi muzikor që duket se ishte ogurmirë për natën e dytë të “South Outdoor Festival”. Banda këndoi disa nga këngët më të bukura, hitet që e gjitha turma i këndonte njëzëri.

Për të vazhduar atmosferën festive muzikore u ngjit në skenë Killua, këngët e të cilit janë aq të preferuara dhe të dashura nga njerëzit e moshave të ndryshme. Kujtojmë, se artisti shumë i preferuar ka qenë i ftuar në disa nga emisionet e Top Albania Radio-s, teksa kemi shijuar disa intervista ekskluzive të tij, ku ka zbuluar për projektet muzikore dhe jo vetëm.

Sardi Strugaj, një tjetër artist tepër i pëlqyer pasoi Killua-n, dhe madje dyshja kënduan edhe së bashku. Sardi nuk humbi rastin të sjellë hitet e tij muzikore, të cilat turma i njihte dhe i këndonte bashkë me artistin.

“Offchestra” ishte e radhës që solli muzikën e mirë në “South Outdoor Fetival” dhe teksa mbrëmja kalonte ishte pikërisht “Offchesta” që ‘i ngriti temperaturat’.

Për t’ia lënë vendin më pas “Kadebostany”, grupit të ardhur nga Zvicr posaçërisht për “South Outdoor Festival”. E gjitha turma nisi të këndojë këngët e grupit dhe mbrëmja dukej se kishte mbylljen perfekte për t’ia pasuar stafetën DJ Mickey.

Kujtojmë se Top Albania Radio ka mundësuar lidhje direkte më të dërguarin në Borsh Adi Pojana, i cili ka transmetuar live tërë atmosferën pozitive në mënyrë që edhe ata që nuk janë të pranishëm në SOF të përthithin tërë energjinë atje. Vlen për t’u përmendur se edhe ditën e sotme do të kemi lidhje të drejtpërdrejta, teksa stafi i TAR sjell muzikën e mirë, intervista, dhe pamje live nga festivali, të cilat gjithashtu mund t’i shijoni në faqen zyrtare të Top Albania Radio në Instagram.