Aktualitet Politikë

Hetimi për Arben Ahmetaj, gjykata lë në fuqi sekuestron për vilat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes

Gjykata Anti Korrupsion e Apelit la në fuqi sekuestron preventive të vendosur nga SPAK ndaj vilës së Erjola Hoxhës, bashkëjetuese e ish-ministrit Arben Ahmetaj, aktualisht deputet.

Vila në Hamallaj u vendos nën lupën e prokurorëve të posaçëm që po kryejnë çdo veprim të mundshëm hetimor edhe pse ende pa rezultat kundër ish-funksionarit, nën hetim për katër vepra. Nën sekuestro gjyqtari Dhimitër Lara la edhe një vilë tjetër që gjenet në Palasë, që u dyshua se i përkiste ish-bashkëshortes së Ahmetaj dhe që në fakt rezulton se është nën pronësi të shtetases Elda Dinaj e njohur e Albina Manckës.

Avokatët vunë në lëvizje Apelin pas kontrolleve të byrosë kombëtare të hetimit në Hamallaj, atje ku ish-ministri i Financave jeton me partneren Hoxha. Ish-ministri, për të cilin SPAK këmbëngul prej tetë muajsh se po kërkon prova, dyshohet për katër vepra penale midis tyre korrupsion dhe pastrim parash dhe për këtë shkak një grup i BKH kontrolloi vilën.

Por, ish-funksionari apeloi duke e konsideruar si të paligjshëm kontrollin për të cilin ai thotë se duhej kryer me leje. Mes veprimeve hetimore, burimet e SPAK thanë se po kryejnë një seri verifikimesh financiare për shumë investime edhe ndaj kompanive të përfshira në ndërtimin e vilave nën sekuestro prej datës 23 mars të këtij viti. Masa e sigurimit pasuror sipas SPAK është kryer për të ndaluar tjetërsimin e tyre dhe çdo veprim të dyshimtë.

Emri i Arben Ahmetajt, me detyrë të mëparshme edhe ish-zëvendës kryeministër u lakua në inceneratorin e Elbasanit, pasi në kompjuterin e Klodian Zotos u zbuluan të dhëna që tregojnë se si i kërkuari në kulmin e përpjekjeve për koncensionarin i kishte paguar udhëtime luksoze ish-ministrit të Financave./tch