HistoGri

HistoGri – Misteret e jetës dhe vdekjes së Elvis Presley! Çfarë e lidh atë me vrasjen e Presidentit Kenedi?!

Në episodin e parë të “HistoGri” u diskutua rreth një prej atyre historive të çuditshme, të habitshme deri në mahnitëse, siç i përshkruajnë të gjithë ata që i degjojnë ato. Kjo ështe një histori e veçantë dyluftimi midis jetës dhe vdekjes, një njeriu jo të zakonshëm dhe vdekjes së tij…Kjo eshte “jeta” pas vdekjes e të madhit Elvis Presley!

Zyrtarisht Elvis Aron Presley vdiq në 16 Gusht 1977, në Graceland, afër qytetit të Memfisit, në vilën e tij madhështore, që e kishte ndërtuar enkas për rehatinë personale, pas lëvizjeve të vazhdueshme me rezidencat ku banonte. Aktualisht shtëpia e Elvis është një nga pikat turistike më të vizituara në SHBA, jo vetëm nga idhtarët e tij.

Përfytyrojeni pak fotografinë e vdekjes, i shtrirë në dyshemenë e njërës prej banjove, në shtëpinë e madhe. Atë e gjeti të pajetë e dashura e fundit që ai kishte, Ginger Allden.

Ngjarja merr rrjedhë kështu…Ginger ndodhej në një nga dhomat e mëdha të vilës në katin e fundit. Elvis prej disa orësh nuk po dukej të lëvizte nëpër shtëpi dhe Ginger zbret t’a kerkojë se ku mund të ishte. Ajo e gjen në banjo, të shtrirë në dysheme, kokëposhtë dhe mes e lart i zhveshur. Në panik Ginger lajmëron menjëherë në telefon dy bashkëpunëtorët e Elvis, Jo Essposito dhe Al Strada. Këta të fundit ishin miq personal por dhe kolegë të ngushtë, të cilët qëndronin aq shumë bashkë saqë i etiketonin si “Memfis Mafia”.

Jo Espozito thërret mjekun personal të Elvis, George Nikopulos, i cili i vjen në ndihmë per ta kthyer në jetë me të gjitha mënyrat, por nuk ja del dot. Më pas mberrin ambulanca e shoqëruar nga policia, e cila dërgon trupin e Elvis në spitalin “Baptiste Memorial”, ndërsa në certifikatën e tij të vdekjes vendosen inicialet D.O.A (dead on arrival) pra, mbërriti i vdekur. Doktor Nikopulos e firmos certifikatën e tij të vdekjes rreth orës 3 pas mesnate, edhe pse Elvis kishte vdekur disa orë më parë. Shkurtimisht ky është varianti zyrtar…Por ka nga ata që nuk e besuan kurrë këtë tezë, aq sa ndërtuan historitë se në fakt Elvis, nuk vdiq kur bota e mësoi publikisht.

Mat Frost është një fotoreporter amerikan, nga ata që janë marrë me investigime dhe hetime jozyrtare. Në Amerikë e njohin si personazh që futej gjithëkund kur kishte interes të kërkonte. Në 2007-ën, 30 vite pas vdekjes zyrtare, ai shkon në Kubën komuniste të Kastrove, ku arrin të hyjë në spitalin “Gregorio Arranon” në Havana, ku ishte i shtruar në atë kohë udhëheqësi kubanez Fidel Kastro. Mat i veshur si infermier lëvizte nëpër repartet e spitalit, në kërkim të Kastros, të cilit donte me patjeter t’i bënte një fotografi në shtratin e spitalit, për ta shitur shtrenjtë më pas në shtypin perëndimor. Befas sheh dy roje të armatosura që qëndrojnë jashtë një dhome, duke menduar se aty ndodhet Fideli i Kubës. Hyn brenda dhe aty gjen një person afërsisht 70 vjeç që e sheh me vëmendje. Plaku arrin të kuptojë, që Mat nuk është infermier, madje e njeh cili ishte, dhe i drejtohet me tre fjalë.

Po, jam unë, Elvis…

Vetë fotoreporteri Mat Frost pretendoi gjatë se Elvis Presley i ka treguar gjithçka, se kishte inskenuar vdekjen e tij, se kishte hyrë në telashe me mafian, atë të vërtetën, që mund ta hiqte qafe në çdo moment. Ngatërresa e fundit kishte ndodhur sepse kishte blerë një avion të shtrenjtë nga një bos mafioz, i cili me pas i kishte vjedhur paratë. Elvis e kishte denoncuar në polici dhe pikërisht të nesërmen, Presley duhet të depononte në gjykatë për mashtrimin që i kishin bërë mafiozët. Në thelb ai ishte ngatërruar me ta, ndaj këngetari i shndërruar në mbret të muzikës, sajoi vdekjen e tij dhe u arratis nën mbrojtjen e Fidel Kastros. Mbi 30 vjet kishte qëndruar i fshehur, por Mat Frost pretendoi se e zbuloi të gjallë. Ketë variant e tregon vetë Frost dhe askush tjetër. Ai publikoi foton e një burri të moshuar dhe mbushi titujt e gazetave në SHBA, se Elvis ishte gjallë.

Menjëherë pas vdekjes, trupit të Elvis i bëhet autopsia. Mjekët e spitalit “Baptist Memorial” ku u dërgua me urgjencë shoqëruar nga mjeku personal Nikopulos, e egzaminuan fill e krye. Madje trupin, mjekët pohuan në atë kohë, se e hapën plotësisht për të nxjerrë konkulzione të sakta mbi shkakun e vdekjes. Mjekët ligjorë shkruan se Elvis vdiq si pasojë e një ataku kardiak shkaktuar nga një mbidozë ilaçesh. Gjurmët në gjakun kadavres treguan substancat e ilaçeve që Elvis merrte. Edhe pse nën mbikëqyrjen e mjekut, Elvis i merrte këto ilaçe, mes tyre edhe antidepresantë. Merrte aq shumë sa krijoi varësi ndaj tyre dhe në shumë momente nuk ishte i ndërgjegjshëm për sasinë që gëlltiste. A i shkaktoi kjo vdekjen, apo e bëri enkas, pasi ishte i lodhur nga jeta nën presion dhe famë. Për vdekjen e Elvis Presley-t është hetuar edhe pista e vrasjes, nëse dikush e ka hequr qafe për çështje pasurie apo trashëgimie.  Vdekja e tij, si tek askush tjetër, ndau opinionin në atë kohë nëse ndodhi aksidentalisht, ishte vetëvrasje, apo vrasje.

Nëse do të ishte gjallë sot Elvis do ishte afruar të 90-ave, pasi ditëlindja e tij ishte në Janar 1935, mosha e shumë individeve në Amerikë që pretenduan se ishin ata Elvis, madje disa syresh të marrë edhe serizisht nga media, se kishin gjetur te ikurin mes të gjallëve. Njëri madje u gjet pikërisht në Graceland, një plakush në karrige me rrota që ruhej nga truproje personale, me protokoll ruajtje si të ishte presidenti i Amerikës, madje qëndronte në oborrin e vilës së Presley. Ndërkohë shumë turistë që kanë shkuar të vizitojnë shtëpinë e idhullit të tyre të rock n’roll pohojnë se ai ishte Elvis, madje kur i kanë shkrepur fshehurazi foto, për ta dokumentuar, janë përzenë nga rojet e vilës. Një tjetër Elvis i ‘fanepsur’ ndër vite, që i pretendoi edhe identitetin me procese gjyqësore, ndodhej në Njukon, Kanada, në pasaportë me emrin Gilbert, por që mendja ja thoshte se ishte Elvis dhe shkoi deri në gjyq për këtë punë…pra histori qesharake që nuk u morën kurrë në konsideratë.

Por më vonë, diku nga viti 2002, një shtëpi e vogël diskografike, nxorri në qarkullim në internet, disa covera këngësh të asaj kohe…si “Livin La Vida Loca” të Ricky Martin, apo “Crazy Little Thing Called Love” të Queen, të cilat pretendonte se kishin zërin e vetë Elvis Presley, duke ngritur pyetjen se në kohën kur këto këngë u bënë publike, Elvis kishte vdekur, si mundet të jetë zëri i tij në to? Por në fakt kush njeh teknologjinë e kupton që kjo është e mundur tanimë, sepse teknikisht ato mund t’i bënte edhe Frank Sinatra po të donin producentët, asgjë për të mos u kuptuar në këtë rast, por për mendjet më vulnerabël në lidhje me rastin, kjo ishte një tjetër arsye për të dyshuar që Elvis ka qenë gjallë.

Elvis Aron Presly u varros ne 18 Gusht 1977, 2 ditë pas vdekjes dhe natyrisht u përcoll si mbret. Mortin e shoqëruan në varrezat e Forest Hill 14 makina Cadillac të bardha së bashku me një kortezh policor, e ndërsa rrugës mijëra fansa të tij qanin me ngashërim teksa i jepnin lamtumirën idhullit të tyre, mbretit të ‘rock n’roll’, idhullit të mbarë botës. Në varrim mes shumë njerëzish të njohur, ishin edhe miqtë e tij, James Brown dhe George Harrison. I behen të gjitha nderimet e fundit dhe trupi futet në dhe…Por më pas pikërisht për këtë moment, filloi të spekulohet nëse ishte aty brenda trupi i Elvis Presley-t. Dhe ja se pse! Në ditën e homazheve, trupi i tij ishte i vendosur në vilën e Graceland. Arkivoli qendronte hapur dhe ishte i shtrirë trupi i Elvis ku të gjithë t’i jepnin përshendetjen e fundit. Por ka shumë nga ata që kanë qenë në atë vend që më vonë dolën të dëshmonin se ai trup ne arkivol nuk ishte Elvis. Ai dukej shumë me i ri në moshë dhe i dobësuar, fiks sikur të ishte kthyer pas në kohë, në moshën 20-vjeçare. Pastaj fytyra e tij dukej e shndëritshme dhe e lëmuar, sikur të ishte prej dylli, dhe për të shtuar dyshimet më shumë, në dhomën e homazheve kishte temperatura frigoriferike.

Për këtë arsye dhe këto zëra, këta njerëz bënë që pjesa tjetër të nisnin dyshimet, që nëse Elvis nuk ka vdekur ku mund te ishte? Kubë, Graceland, Europë apo Argjentinë? Këtu ju dha udhë mistereve. 2 orë pas vdekjes zyrtare, një person prenotoi një biletë udhëtimi për në Buenos Aires me emrin John Barrows, emër që Elvis e përdorte për t’u fshehur nga gazetarët apo kureshtarët kur rezervonte një hotel apo fluturim. Emër shumë sekret, që nuk figuron as në dosjen që FBI ka për këngëtarin e njohur. Ndoshta ka qenë një tjetër John Barrows por koincidenca të kësaj natyre për ata që i besojnë teorive të konspiracionit marrin një tjetër kuptim. Për ta Elvis apo John Barros ndodhet në Argjentinë. Madje u hapën histori që e çonin Elvis deri në FBI. Kjo e fundit duke parë ndikimin që ai kishte tek rinia si yll i muzikës apo edhe lidhjet me njerëz të rëndesishëm nga politika dhe mafia, pas vdekjes së sajuar, vendosi ta rekrutojë dhe Elvis ndërroi identitet, duke marre emrin John Carpenter.

Megjithatë John Carpenter është edhe personazhi i fundit që Elvis interpretoi në kinema, në filmin “Change of Habits” në 1969. Por kush ka lexuar mbi Elvis së paku do ngrinte pyetjen se përse dikush duhet të sajonte vdekjen sidomos kur është në kulmin e karrierës, të gjithë e thërrisnin mbret dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Nëse do ishte për disa çështje borxhesh, Elvis mjaftohej të shiste disa prona dhe çdo gjë rregullohej, nëse do ishte ngatërruar me “Cosa Nostrën” amerikane, që në botën e artit në Amerikë, është mjaft prezente. Por edhe nëse do ishte keshtu, ai kishte mjaft para dhe ruhej si presidenti i vendit. Por Mafia mund të ketë qenë arsye që të ndërronte identitet dhe stresi po ashtu, që t’i braktiste të gjitha dhe të jetonte një jetë tjetër. Edhe pse zyrtarisht Elvis nuk jeton më, edhe deri pas viteve 2000 për të u fol, u besua dhe u shperndanë lajme se legjenda e dikurshme është gjallë.

Megjithatë rreth yjeve të artit, muzikës dhe politikës vërtiten histori të forta, të çmendura e të pabesueshme siç është ajo se Elvis Presley kishte gisht në vrasjen e presidentit të Amerikës John Fitzgerald Kennedy.

Teoritë e komplotit mbi vrasjen e njeriut më të rëndesishëm të kohës në SHBA, Presidentin John Kenedi, në nëntor të 1963, nuk perjashtuan as mbretin e ‘rock n’rollit’. Ajo ka qenë një nga vrasjet më të bujshme të shekullit, aq sa ende nuk e besojnë se Lee Harvey Osvald veproi i vetëm dhe pa mbështetje. Siç e vërtetoi në atë kohë edhe komisioni Warren i senatit  që hetoi mbi vrasjen e Kenedit, vrasësi kishte disa bashkëpunetorë. Me pak fjalë versioni i ditur botërisht është se, Osvald, ish-marins, aktivist komunist, adhurues i çmendur i Kubës dhe Kastros, u ngjit në katin e fundit të një magazine librash në Dallas, montoi pushkën me precision të lartë, fikson kryet e presidentit dhe i qëllon. Tezat konspirative më vonë lidhen faktorë të tjerë që organizuan atentatin. Komunistët kubanezë, mafian, CIA-n, Cu Clus Clanin, etj., që donin vrasjen e Kenedit për arsye politike, ekonomike apo se ishin prerë në besë prej tij.

Ka libra, filma, dokumentarë që i janë rikthyer ngjarjes dhe mbështeten në teori të tjera jo zyrtare të cilat besohen më shumë se raporti i komisionit Warren. Një prej tyre është edhe filmi i Oliver Stone, “JFK”.

Po ku lidhet Elvis Presley me këtë histori? Ja se çfarë është folur gjatë për këtë…

Historia nisi ne shtatorin e vitit 1958, kur Elvis ishte angazhuar në shërbimin ushtarak dhe transferohet nga kampi i Forthood në divizionin e 24-të të këmbësorisë me bazë në Gjermani. Por Elvis ishte Elvis, i njohur dhe i famshëm…e kryente shërbimin ushtarak pasi e gjithë bota i njohu suksesin me këngët “That’s All Right”, “Mama” apo “BlueMoon”. Kishte shitur miliona disqe dhe realizuar 3 filma, pra ishte ushtari amerikan me i famshëm i të gjitha kohërave. Ama për komandantin e bazës, gjeneralin Edwin Anderson Walker, Elvis nuk kishte asgjë më shumë, sesa siç e thërriste ai “një ushtarak imcak me fytyrë zagari”. Gjenerali Walker vazhdimisht i ushtronte presion duke e trajtuar pa dinjitet, dhe sa më shumë ndodhte kjo aq më shumë i shtohej Elvis urrejtja për gjeneralin e bazës. Inati ju kthye në fiksim dhe ndër dhëmbë e quante i mallkuari Walker.

Por e lemë Elvis për një moment dhe sjellim në vëmendje një tjetër personazh kyç të kësaj historie. Është një grua. Edhe ajo këngetare. Emri i saj është Ann Margaret. E angazhuar nëpër disa studio muzikore dhe shesh xhirime të filmave, një prej tyre filmi ikonë i adoleshentëve “Vajza YeYe”. Ann Margaret Olson pikaset nga një mik i familjes Alexander Feliksov, që jeton në SHBA, por në të vërtetë është një funksionar i KGB, shërbimit sekret rus.

Dhe janë pikërisht vitet e luftës së ftohtë mes SHBA dhe Ish-Bashkimit Sovjetik, koha kur ndodh ngjarja. Për rusin Felsiksov, ajo mund të ishte spiunia perfekte. Ajo rekrutohet dhe mision kishte të spiunonte në botën e muzikës dhe filmit e madje të fusë ide komuniste në “Hollywood”. Dalë nga dalë duke u bërë një yll të rekrutonte artistë në shërbim të KGB. Sipas teorive të konspiracionit ajo ja doli me disa, por dy prej tyre të rëndësishëm. Dramaturgun Arthur Miller dhe ish-gruan e tij, bukuroshen Marylin Monroe.

Ndërkohë…me të mbaruar shërbimin ushtarak në Gjermani, Elvis rikthehet në Amerikë dhe karriera muzikore e shndërron në mbret të ‘rock n’rollit’. Ai përpiqet të harrojë çfarë kishte kaluar nga jeta absurde në ushtri, ama për gjeneralin Walker nuk ju largua urrejtja, aq sa shprehej se donte ta shihte të vdekur dhe këtë ja thoshte të gjithëve. Dhe kur urrejtja ju kthye në fiksim, Elvis vendosi t’i përshkallëzojë gjërat. Idenë se mund ta hiqte qafe gjeneralin, ja perforcoi takimi me Ann Margaret në studion e tij muzikore në Memfis. Ajo madje i sugjeroi edhe personin që do kryente vrasjen…

Ketu del emri i Lee Harvey Osvald, një ish-marinsi, që e kishin rekrutuar edhe ruset. Elvis dhe Osvald takohen në aeroportin e New Orleans dhe Osvald i merr përsipër të vrasë gjeneralin Walker, por plani i tij ishte organizuar keq dhe dështon. Pas tentativës pa sukses, Elvis nervozohet, Osvald i duket diletant dhe e mbyll historinë me të. Ndërkohë Ann Margaret në atë kohë humb Marylin Monroe, e cila u gjet e vdekur ne gusht 1962. Shumë e lidhin vdekjen me Robert Kenedi, vëllai i presidentit, që mendohet se gjeti një mënyrë për ta eleminuar. Dyshohet që e mbytën Marylin-in me jastëkun e dhomës së saj të gjumit dhe më pas sajuan sikur ajo kishte marrë mbidozë ilaçesh dhe qetësuesish. Dhe këtë e bënë për të mbrojtur presidentin nga fjalët dhe skandali i marrëdhënies jashtëmartesore me Monroe.

Dhe që Kenedi kishte gisht, Ann Margaret e mëson nga një i infiltruari i saj në FBI. Kështu humbi një bashkëpuntore të saj në art dhe këtu fillon hakmarrja e saj ndaj Kenedi-t. Koha rastis kur ishte duke interpretuar në filmin muzikor “Viva Las Vegas” ku protagonist kryesor është ylli i momentit Elvis Presley. Në atë film u fol se nisi edhe historia intime e tyre. Ann e josh Elvis, vazhdon me një histori pasioni dhe seksi e cila e ka një kosto. Ann Margaret ndjen se e ka në dorë Elvis dhe nis ta kërcenojë. Ose ai e ndihmon të vrasë John Kenedi-n ose do e padiste për tentativën e vrasjes së gjeneralit Walker nëpermjet Lee Harvey Osvald.

I zënë në këtë situatë të vështirë, Elvis vendos të ndihmojë Ann Margaret. Dhe këtu historia që ja kanë qarkulluar Elvis bëhet absurde deri e pabesueshme…por ja çfarë është shkruar:

Dallas…22 Nentor 1963.

Elvis Presley u vendos në katin e dytë të një ndërtese, dikur magazinë librash. Në dorë ka një pushkë që ja mori Lee Harvey Osvald. Ky i fundit, dëshiron të jetë vetë personi që do të qëllojë, por duke qenë se dështoi me gjeneralin Walker, Elvis vendos të marrë vetë në dorë armën dhe zë shënjestrën. Deri në momentin kur poshtë ndërtesës do kalonte eskorta dhe makina e hapur ku ndodhej presidenti Kenedi…ai ishte momenti…Elvis qëllon. Kenedi plagoset për vdekje, dhe Presley i lë në dorë armën Osvald. Ky i fundit zbret poshtë për tu larguar por Ann Margaret spiunon se vrasjen e kreu Osvald i cili arrestohet menjëherë dhe më pas vritet në burg nga Jack Rubi, një ish-mafioz dhe mik i Ann.

Gjithsesi detajet e kësaj historie nuk janë aq shumë sa të ngurtësojnë se Elvis Presley mund të kishte gisht…

Kjo është pjesa gri e një historie që në fakt ka dhënë dritëhijet e veta!