14 Shkurt 2026, ditëlindja e 28-të e Top Albania Radio. Mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë moderatori Eno Popi, për të kujtuar fillimet e tij në Top Albania Radio.
Si i mban mend fillimet e tua në Top Albania Radio?
Kur kam ardhur në Top Albania Radio kam qenë në vitin e tretë në gjimnaz. Kisha pasur një eksperiencë të mëparshme në një tjetër radio, gjë që më bëri të kuptoj që kam një lloj vokali. I jam bashkuar radios kur kishte gati 1 vit e 4-5 muaj që kishte nisur transmetimin. Ishte zhvendosja nga një studio e vogël e improvizuar Rrugës së Trenit, kur shkon për tek Bulevardi i Ri, tek Piramida që u bë shtëpia jonë. Aty ne kemi pasur jo vetëm kujtimet e 4 fazave të rritjes, por lidhnim Tiranën e dikurshme të fillimviteve 2000 me Tiranën që është sot. Deri sa erdhëm tek Arena dhe gjërat ndryshuan.
Ka qenë gjithmonë një ëndërr e jotja radio?
Ka ardhur duke e dashuruar dalëngadalë. Më është dashur të bëja gjëra nga më të ndryshmet, si nga gjërat argëtuese, deri tek lajmet. Më është dashur ta bëj radion në shumë dimensione të vetat. Aty kam arritur të kuptoj se sa shpejt na duhej të mësonim në një periudhë e cila kur ti je në një moshë që akoma nuk e kupton se çfarë do, dhe do të duhet t’i përgjigjeshe Top Albania Radios për nevojat dhe kërkesat që kishte, pa menduar dy herë. Do, s’do e dashuron gjënë tënde edhe duke e mësuar ditë për ditë dhe duke e bërë çdo ditë e më mirë.
Ka qenë një periudhë ku një njeri që për mua ka qenë shumë i dashur, Fatos Baxhaku, e pyeta si e mendon Top Albania Radion dhe më tha një radio me ngjyra. Në fillim nuk e kapa. Ka qenë një periudhë në Shqipëri kur ndërrohej televizori, nga bardhezi në me ngjyra. Kur botës i vjnë ngjyrat dhe gjëja bëhet më e bukur, më e dashur dhe njerëzit lidhen më shpejt, kjo ishte Top Albania Radio. Top Albania bëri një kthim jo vetëm të historisë dhe mënyrës si bëhej radio, por nga ana tjetër duke marrë edhe modelet më të mira që ishin aty, kryesisht italiane dhe duke menduar si ta bëjëm më shqiptare, u kthye në një revolucion mediatik. Për rininë e Tiranës ishte revolucioni më i madh kulturor i fillimviteve 2000.
Kjo radio është e destinuar që të këte gjak të ri. I ndjeri Dritan Hoxha i shihte gjërat pa ndodhur, të merrte me vete dhe ti ecje në të njëjtën trajektore. Shkolla e vërtetë e jetës është Top Albania. E kam thënë gjithmonë që kush do të bëjë televizion, paradhoma është radio.