Bota Botë e Çuditshme Lifestyle

Humbi të dyja këmbët në Afganistan, ish-ushtari hyn në histori duke ngjitur Everestin!

Një ish-ushtar gurkha i ushtrisë britanike i cili kishte humbur të dyja këmbët teksa shërbente në Afganistan, është bërë personi i parë me 2 këmbë të amputuara mbi gjunjë i cili ka ngjitur Malin Everest. Hari Budha Magar përfundoi ngjitjen rraskapitëse 70 vjet pasi Sir Edmund Hillary dhe Sherpa Tenzing Norgay u bënë alpinistët e parë që e vizituan Everestin. Nepalezi 43 vjeçar tha:

Nëse unë mund të ngjitem në majën e botës, atëherë të gjithë mund ta arrijnë ëndrrën e tyre, pavarësisht se çfarë aftësish të kufizuara kanë ata.

Hari u rrit në malet nepaleze përpara se të shërbente 15 vjet si tetar me regjimentin gurkha të ushtrisë britanike, duke humbur të dyja këmbët në një shpërthim nga një mjet shpërthyes i improvizuar në vitin 2010. Ai arriti të ngjiste majën me lartësi prej 8,848 metrave rreth orës 15:00 të së premtes. Babai i tre fëmijëve u kthye në kampin bazë, ku përmes një telefoni satelitor ai deklaroi:

Ishte e vështirë. Ngjitja ishte më e vështirë se sa unë e kisha paramenduar. Thjesht duhej të vazhdonim dhe të përpiqeshim për të arritur majën, pa marrë parasysh sa shumë dhemb apo se sa kohë zgjatë. Kur gjërat u bënë vërtet të vështira, unë mendoja për familjen time të mrekullueshme dhe të gjithë ata që më ndihmuan të ngjitem në mal dhe kjo ishte ajo që më jepte shtytje për të arritur deri në majë.

Hari Budha po mbledh para për pesë organizata bamirëse të veteranëve; ‘Team Forces’, ‘Gurkha Welfare Trust’, ‘Pilgrim Bandits’, ‘Blesma’ dhe ‘On Course Foundation’.