Aktualitet Politikë

Ilir Meta: Mezi pres të rikthehem si President i Shqipërisë. Basha, mashtrues ordiner!

Kryeministër, kryetar parlamenti dhe më pas president i Republikës së Shqipërisë, sot Ilir Meta i është kthyer jetës politike.

Në Konventën Kombëtare të LSI-së ai u shpreh se nga tre pozicionet e larta që ka mbajtur është ndjerë më mirë me detyrën e presidentit dhe mezi pret të rikthehet për një mandat të dytë.

“Në këto 5 vite kam qenë nga një lartësi ku shihja çdo gjë dhe fitova një këndvështrim që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik që i kanoset sovranitetit të këtij vendi dhe pavarësine Kosovës,” – u shpreh Meta.

Ai u cilësoi situatën aktuale jashtëzakonisht kritike dhe tha se kërkon një ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve që duhet të marrin përgjegjësi sepse s’mund t’ja besojnë më përgjegjësitë e tyre kësaj klase politike.

Ilir Meta nuk ka hezituar të sulmojë Lulzim Bashën për djegien e mandateve duke e cilësuar si mashtrues ordiner. Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare tha se ka qenë kundër bastit të opozitës për të lënë parlamentin në shkurt të vitit 2019.

“Secili duhet të marrë përgjegjësitë e tij dhe duhet të nisemi në përfundimin e këtij eventi të rëndësishëm me vendimin e madh për të takuar çdo qytetar që ti themi se ka vetëm një zgjidhje. Kemi provuar çdo gjë por zgjidhja është të zbatohet Kushtetuta, instrumenti që me referendum populli e vendosi në 1998 për ta ushtruar sa herë të deleguarit abuzonin.

E dimë që është bërë çdo gjë për ta bllokuar referendumin nga një grup politikanësh që shpesh bëjnë teatër nëpër media, nuk bëjnë gjë veçse plaçkitin çdo ditë popullin e Shqipërisë. Viktima është populli. Edhe ju ishit target i tyre gjatë 5 viteve që kaluan dhe më duhet që të mos kthehem në analizë, ti bëj të qartë çdo anëtari e simpatizanti të LSI por edhe çdo qytetari të Shqipërisë që Ilir Meta ka qenë kategorikisht kundër bastit të çmendur për ti besuar një mashtruesi ordiner që të gënjen pa kuptim duke djegur mandatet, duke lënë parlamentin, duke bojkotuar pushtetin vendor.

Djegia e mandateve ishte planifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë, nga oligarkët se duhej braktisur dhe pushteti lokal”, tha Meta.

Ilir Meta ka sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama duke thënë se nuk është patriot. Për këtë përmend deklaratën e tij që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president, për të cilën Meta thotë se dha mesazhin për llogari të tjetër kujt në mënyrë që të ç’bëhen njohjet e Kosovës.

“Këta nuk kanë asnjë besim veçse sëmundjen e kleptokracisë, të atij që vjedh edhe kur nuk ka nevojë për dicka. Refuzimi i platformave të presidentit për pakte për integrimin, për reformën në drejtësi refuzohej se duhej konfrontim. Shqipëria duhet të paraqitej si vend anormal. Kosova duhej të copëtohej. Kosova duhet ti falte pjesën e saj më të pasur dikujt tjetër. Artisti ka marrë detyra të mëdha përsipër.

Mos mendoni se është vërtet kaq patriot ai sa ditën në parlamentin e Kosovës festohet 10-vjetori i pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë deklaron se kishte përfytyrimin se Shqipëria e Kosova do kishte një president. Pra dha mesazhin që kishte marrë për llogari të tjetër kujt. E paskan planin që të kenë një shtet që të ç’bëhen njohjet e tjera të Kosovës? Mori porosi që të bëjë lajm ndërkombëtar. Kaq mjafton për të treguar nivelin dhe standardin. Pastaj u tërhoq. Jo tha se u nxitova. Po të shkonin në gjyq, aty ishin dhe dëshmitarët”, tha Meta.