Përdoruesit e Facebook dhe Instagram në Evropë po marrin opsionin për të paguar për versionet pa reklama të platformave të mediave sociale, si një mënyrë për të respektuar rregullat strikte të kontinentit për privatësinë e të dhënave. Duke filluar nga nëntori, përdoruesit në shfletues desktop mund të paguajnë rreth 10 euro në muaj ndërsa përdoruesit e iOS ose Android do të paguajnë afërsisht 13 euro.
Çmimet më të larta pasqyrojnë komisionet e ngarkuara nga dyqanet e aplikacioneve Apple dhe Google për pagesat brenda aplikacionit. Tarifa do të mbulojë të gjitha llogaritë e lidhura në Facebook dhe Instagram deri në mars, kur Meta do të fillojë të tarifojë 6 euro për çdo llogari shtesë. Së fundmi rrjeti social Instagram po teston një veçori ku lejon përdoruesit të shohin postime vetëm nga përdoruesit e verifikuar. Kreu i Instagramit Adam Mosseri tha se:
Ne po e eksplorojmë këtë si një kontroll të ri për njerëzit dhe një mënyrë që bizneset dhe krijuesit të zbulohen. Për të shikuar postimet e personave të verifikuar në feed-in tuaj duhet të klikoni tek logoja e aplikacionit dhe aty më pas do të shfaqen tre opsione, në mesin e tyre edhe “Meta Verified”.
Instagram ka shënuar rritje të konsiderueshme në Turqi. Pas Indisë, Turqia u bë vendi i dytë më aktiv me 153.6 milionë llogari aktive. Instagram është bërë një nga platformat e mediave sociale më të përdorura në botë. Rikujtojmë gjithashtu se Meta, kompania mëmë e Facebook-ut dhe Instagram-it, akuzohet se mashtroi publikun në lidhje me rreziqet e përdorimit të mediave sociale duke kontribuar në një krizë të shëndetit mendor tek të rinjtë. Pretendimet janë pjesë e një padie federale nga dhjetëra shtete amerikane. Ata thonë se kompania përdori elemente varësie për të “futur në grackë” përdoruesit, duke fshehur “rreziqet thelbësore” të platformave të saj.