Aktualitet

Ja se ku do të strehohen afganët që priten të vijnë në Shqipëri!

Ashtu si u bë me dije ditën e djeshme nga kryeministri i vendit tonë Edi Rama, Shqipëria i ka hapur dyert për qytetarët afganë. Së shpejti, rreth 400 afganë pritet të mbërrijnë kështu në vendin tonë për tu strehuar përkohësisht. Sipas ABC, operacioni po koordinohet në vendin tonë nga Ministria për Punët e Jashtme dhe Ambasada Amerikane, teksa numri i saktë i afganëve që do të strehohen është i papërcaktuar dhe do të saktësohet nga nevoja që amerikanët do të paraqesin.

Qytetarë afganë do të strehohen përkohësisht në një ambient mes Tiranës dhe Durrësit, i cili është afër portit dhe aeroportit, teksa kostot financiare të qëndrimit të tyre, paraprakisht pritet të përballohen nga shteti ynë. Në një postim të gjatë, kryeministri Rama ditën e djeshme shkruan se është e vërtetë se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion final kanë Shtetet e Bashkuara.

Tashmë që talebanët morën pushtetin, jeta e tyre rrezikohet ndaj dhe NATO dhe SHBA po marrin përsipër strehimin e tyre në disa vende të ndryshme, deri në transferimin përfundimtar që parashikohet të jetë Amerikan. Më herët, ministrja Olta Xhaçka reagoi përmes një statusi në Twitter duke shkruar:

Shqipëria është gati të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.