Rajoni

Jakov Milatoviç presidenti i ri i Malit të Zi/E uron Gjukanoviç, që mbajti pushtetin për mbi 30 vjet!

Mali i Zi ka një president të ri dhe ai është Jakov Milatoviç, i cili në balotazhin e djeshëm fitoi rreth 60.2% të votave përballë rivalit, presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, me 39.8. Të dhënat janë sipas rezultateve paraprake të 90% të votave të numëruara. Në të parin fjalim paszgjedhor, Milatoviç tha: “Kjo është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet, kjo është fitorja e Malit të Zi të pajtuar”. Gjukanoviç e uroi për fitoren.

Mali i Zi bëri një zgjedhje dhe unë e respektoj. Le të jetë një president i suksesshëm! Nëse është kështu, edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm.

Edhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç uroi Milatoviçin për fitoren:

Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur. Ne do të punojmë së bashku për një shtet europian, civil dhe ekologjik.

Sipas të dhënave të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, 71% e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi apo rreth 383.3 mijë votues. Të drejtë vote kishin 542 mijë e 154 qytetarë. Numri më i madh i votuesve ishte në Podgoricë, 143 mijë e 609 dhe më pak, në qytetin verior Shavnik, ku u regjistruan vetëm 1 mijë e 777 persona me të drejtë vote.

Kush është Jakov Milatoviç?

Jakov Milatoviç u lind në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në dhjetor 1986, i njëjti vit kur Gjukanoviç iu bashkua presidencës së Lidhjes Socialiste të Rinisë së Jugosllavisë, që më pas i shërbeu si trampolinë për postin e presidentit dhe kryeministrit në periudhën postkomuniste e pas pavarësisë së Malit të Zi.

Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, një vit, Milatoviç e kaloi si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA dhe më pas vazhdoi studimet në Austri e Itali. Po ashtu mori diplomën master në ekonomi, në Oksford.

Pas studimeve akademike, punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër e Podgoricë.

Në zgjedhjet e vitit 2020 siguroi një vend në Parlamentin e Malit të Zi, kur fitoi shumica pro-serbe e pro-serbe ortodokse, me grupime të tjera në zgjedhjet që çuan DPS-në e Gjukanoviçit në opozitë, për herë të parë që nga mbajtja e votimeve pluraliste në vitin 1990.

Milatoviç nga Lëvizja “Europa Tani”, la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiç dhe ishte një prej “12 dishepujve”, në kabinetin që u formua në negociatat e ndjekura nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe. Ato u mbajtën në Manastirin Ostrog.

Lëvizja “Europa Tani” e krijuar në qershor 2022 nga Milatoviç dhe Milojko Spanjiç, përshkruhet si centriste, pro-BE-së dhe me axhendë kundër korrupsionit.