Auto & Moto

Ju prezantojmë me “Hatchbacku”-n e parë elektrik nga Volkswagen!

Volkswagen më në fund ka “lundruar” në segmentin e “hatchbackut” elektrik me makinën ID.3 GTX. Në thelb bëhet fjalë për modelin si motër të makinës Cupra Born VZ, që vjen në dy versione. Fjalë është për GTX dhe GTX Performance, me motorët më të fuqishëm elektrikë që prodhuesi gjerman i ka bërë deri më tani. Modeli bazik përdor motorin elektrik me 286 kuaj-fuqi dhe mund të përshpejtojë nga 0-100 kilometra në orë për 6 sekonda. Fuqia motorike bartet në rrotat e pasme.

VW thekson se motori elektrik në GTX është i ndërtuar në atë formë, sa që fuqinë motorike ta bartë brenda një mili-sekonde në rrota në momentin kur shtypet pedali i gazit. Guri vërtetë i çmuar në kurorë është ID.3 GTX Performance, i pajisur me elektromotor që prodhon 326 kuaj-fuqi, që gjithashtu bën tërheqje me rrotat e pasme. Shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 5.6 sekonda.

Ndërkaq, Volkswagen Polo do të mbushë 50 vjet. Që nga lançimi në vitin 1975, është shitur si “hatchback”, limuzinë apo “crossover”. Këtë vit, kompania gjermane që ka fabrikën në Brazil është duke shqyrtuar idenë për një version “më të egër dhe më të ngritur”.

Fjala është për Polo Robust, një makinë e dedikuar nga inxhinierët enkas për fermerët. VW Brazil pretendon se makina është zhvilluar dhe testuar për klientët e segmentit bujqësor. Duke marrë parasysh se ata lëvizin nëpër terrene më të ashpra, makina është më e ngritur paksa sesa versionet bazike. Kabina është e veshur me materiale të veçanta që e bën më të lehtë pastrimin, duke marrë parasysh se fermerët shumicën e rasteve janë me rroba të punës.