Bota Health & Beauty

Ka shpresë, studiuesit bëjnë zbulimin e parë në botë për endometriozën!

Së fundmi studiuesit në Sidnei kanë bërë një hap para në lidhje me endometriozën, që mund të ndryshojë mënyrën si trajtohet sëmundja dhe të përmirësojë shëndetin e grave. Studiuesit kanë rritur indet nga çdo lloj endometriozë e njohur, duke vëzhguar ndryshimet dhe duke krahasuar se si reagojnë ndaj trajtimeve. Kjo do të thotë se studiuesit do të jenë në gjendje të ndryshojnë trajtimet dhe kurat në varësi të llojeve të ndryshme të endometriozës.

Profesori i obstetrikës dhe gjinekologjisë, Jason Abbott, tha se studimi është i krahasueshëm me studimet e bëra në trajtimin e kancerit të gjirit tre dekada më parë.

30 vjet më parë, ne i trajtonim të gjitha kanceret e gjirit njësoj. Tani e dimë se ka shumë lloje të ndryshme të kancerit të gjirit dhe i trajtojmë ato në përputhje me rrethanat. Duke ditur llojin e endometriozës, ne do të jemi në gjendje të parashikojmë nëse një paciente ka të ngjarë të përjetojë një formë agresive, invazive të sëmundjes dhe të ofrojmë trajtim për të ruajtur fertilitetin e saj.

Endometrioza ka të bëjë me rritjen e indeve jashtë mitrës, të cilat në fakt duhet të zhvillohen brenda saj. Këto inde nuk kanë mundësi të largohen nga trupi dhe mund të shkaktojnë dhimbje të shumta e madje edhe ndërlikime të tjera, përfshirë infertilitetin. Simptomat e endometriozës shpesh shfaqen para moshës 30-vjeçare dhe mund të përfshijnë ngërçe të dhimbshme menstruale, dhimbje gjatë ose pas seksit, dhimbje gjatë kryerjes së nevojave personale, dhimbje të barkut ose të fundshpinës si edhe vështirësi për të mbetur shtatzënë.

Shumë gra përballen me cikle të dhimbshme menstruale dhe ciklet e dhimbshme mund të tregojnë sëmundje të endometriozës. Mesatarisht në botë një në 10 gra vuan nga kjo sëmundje dhe është shumë e përhapur. Kjo patologji beninje prek edhe organet përreth mitrës. Më shpesh prek vezoret, zorrët dhe indet pelvike. Karakterizohet nga një dhembje kronike, e cila shfaqet para menstruacioneve, gjatë menstruacioneve dhe gjatë ovulacionit.