Health & Beauty Lifestyle

Shkaktare e infertilitetit, një në 10 gra vuan nga sëmundja e endometriozës!

Shumë gra përballen me cikle të dhimbshme menstruale dhe ciklet e dhimbshme mund të tregojnë sëmundje të endometriozës. Mesatarisht në botë një në 10 gra vuan nga kjo sëmundje dhe është shumë e përhapur. Kjo patologji beninje prek edhe organet përreth mitrës. Më shpesh prek vezoret, zorrët dhe indet pelvike. Karakterizohet nga një dhembje kronike, e cila shfaqet para menstruacioneve, gjatë menstruacioneve dhe gjatë ovulacionit.

Kjo dhimbje shndërrohet në dhimbje koke, dhimbje në pjesën e poshtme të kurrizit, dhimbje që shfaqet gjatë urinimit, por edhe gjatë marrëdhënieve seksuale. Meqenëse dhembjet te endometrioza janë të njëjta dhe të zakonshme me dhembjet menstruale, është shumë e vështirë të diagnostikohet sëmundja dhe për këtë shkak është shumë me rëndësi të shkohet në kontrolle të rregullta gjinekologjike.

Duke qenë se endometrioza dëmton fertilitetin femëror qoftë për një shtatzëni natyrale, por edhe përmes një fertilizimi in vitro, rekomandohet që gratë e prekura me endometriozë të mendojnë disi më shpejt për të pasur fëmijë. Shumë gra me këtë patologji përfundojnë në fertilizim in vitro. Endometrioza shfaqet si një ciste në vezore. Nuk ka ndonjë ndryshim të qartë dhe mund të duhen 10 deri në 15 vjet përpara se një grua të diagnostikohet me këtë sëmundje.

Përgjithësisht, rekomandohet së pari mjekimi konservativ dhe më pas ai kirurgjikal. Por gjithçka varet nga graviteti i sëmundjes, shenjat dhe dëshirës për të pasur fëmijë. Ndërkaq, shume nëna pas lindjes shpesh ankohen për ndryshimet e menstruacioneve. Për gratë të cilat ushqejnë foshnjën me gji, ka tri gjëra të cilat me siguri do t’u ndodhin gjatë menstruacioneve, kthehen në normalitet, përkeqësohen apo përmirësohen. Nëse ushqeni foshnjën me gji, mund të prisni që të mos keni menstruacione së paku disa muaj.