Aktualitet

Kërkesat për azil, Britania, Franca e Gjermania destinacione kryesore!

Kërkesat për azil (mbrojtje ndërkombëtare) po rriten sërish, pasi shënuan rënie gjatë periudhës 2020-2021, të ndikuara nga kufizimet për udhëtime që u vendosën gjatë pandemisë. Sipas Eurostat-it, “në 7 muajt e parë të vitit u regjistruan gati 5 mijë e 800 kërkesa nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian”. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra u dyfishua.

Por, cilat janë shtetet ku shqiptarët po nxitojnë të kërkojnë azil?

Franca mbetet destinacioni kryesor i azilantëve shqiptarë për shkak të politikave lehtësuese sociale që ofron ky shtet. Sipas të dhënave të Eurostat-it, në periudhën janar-korrik, në Francë kërkuan azil mbi 3 mijë shtetas ose 53% të totalit. Në korrik u shënua edhe numri më i lartë i aplikimeve, duke i kaluar 500 të tilla. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për 7 mujorin, aplikimet për azil drejt Francës janë dyfishuar.

Shteti i dytë është Gjermania. Për 7 mujorin kishte gati 800 aplikime ose 15% e totalit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra pothuajse u 4-fishua.

Pas Gjermanisë renditet Italia që historikisht ka qenë destinacion i emigrantëve shqiptarë. Për periudhën janar-korrik 2022 kishte gjithsej gati 700 aplikime.

Greqia, destinacioni tjetër tradicional i emigracionit mori rreth 600 aplikime.

Belgjika vijoi të mbetej në vend të katërt, me 240 aplikime gjithsej.

Një shtet që po preferohet së fundmi është Irlanda, me 80 aplikime gjithsej (nga 20 në të njëjtën periudhë të një viti më parë), i ndjekur nga Suedia (75), Holanda (45).

Ndonëse ka shumë aplikime për mbrojtje ndërkombëtare, pothuajse të gjitha ato refuzohen, pasi Shqipëria renditet në listën e vendeve të sigurta, ndryshe nga vende të tjera, qytetarët e të cilëve ikin nga lufta apo nga konfliktet e brendshme.

Eurostat nuk i raporton më të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar, që nga dhjetori 2020, pas daljes së saj nga BE. Por, të dhënat zyrtare të autoriteteve britanike tregojnë se rreth 4 mijë e 729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022, shifër që është sa 80% e të gjitha kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë.

Nga totali i emigrantëve shqiptarë, 2 mijë e 165 persona hynë me gomone (varka të vogla). Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët u renditën të parët për nga numri i madh i atyre që hynë në Britaninë e Madhe, duke rrezikuar jetën.

Numri i shqiptarëve që vijnë me varka të vogla është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të fundit prill-qershor 2022. Përpara kësaj periudhe, shqiptarët zakonisht nuk përdornin varka të vogla. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, ka pasur 2 mijë e 165 mbërritje midis janarit e qershorit 2022, krahasuar me vetëm 23 të zbuluara në të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar deri në qershor 2021).

Emigrantët që hyjnë në Britaninë e Madhe me gomone regjistrohen menjëherë si azilkërkues për shkak se kanë rrezikuar seriozisht jetën duke udhëtuar në këtë mënyrë. Numri i shqiptarëve që udhëtojnë me gomone në Britani është më i lartë se ai i vendeve në konflikt dhe në diktaturë si Afganistani, Irani e Iraku. Madje edhe ukrainasit që janë në luftë nuk kanë marrë nisma të tilla. / Monitor