Bota Celebrities Film & Tv Gossip Showbiz

Kevin Spacey mohon akuzat e reja për sjellje të pahijshme!

Kevin Spacey, aktori fitues i çmimit “Oscar” ka hedhur poshtë akuzat e reja për sjellje të pahijshme kundrejt disa burrave që do të shfaqen në një dokumentar në televizionin britanik, që do të publikohet javën e ardhshme, sipas AP.

Në një intervistë me gazetarin Dan Wootton, Spacey tha se ai nuk ka bërë kurrë diçka të paligjshme duke pranuar se ai kishte luftuar për t’u rikthyer në punë pasi u lirua vitin e kaluar nga akuzat penale në një gjykatë në Londër.

“Unë nuk mund ta kaloj këtë përsëri, duke e lejuar veten të sulmohem pa bazë pa u mbrojtur”, tha ai .

Korrikun e kaluar, një juri në Londër e shpalli Spacey të pafajshëm lidhur me akuzat për ngacmime seksuale që rrjedhin nga akuzat e katër burrave që datonin 20 vjet më parë.

Kjo ishte hera e dytë që Spacey fitonte çështjen, që kur ai fitoi ndaj një padie prej 40 milionë dollarësh në vitin 2022 në Nju Jork, e ngritur nga aktori i “Star Trek: Discovery”, Anthony Rapp.

Dokumentari “Spacey Unmasked” do të transmetohet më 6 dhe 7 maj në Channel 4 në Britaninë e Madhe dhe do të transmetohet në Max në SHBA.

“Dokumentari thuhet se përmban dëshmi nga disa burra në lidhje me ngjarjet midis 1976 dhe 2013”, zbuloi aktori gjatë intervistës.

“Unë marr përgjegjësinë e plotë për sjelljen dhe veprimet e mia në të kaluarën, por nuk mund dhe nuk do të marr përgjegjësi ose t’i kërkoj falje kujtdo që ka shpikur gjëra për mua ose histori të ekzagjeruara për mua”, tha Spacey, i cili fitoi çmimin “Oscar” për aktorin më të mirë dytësor në “The Usual Suspects” dhe një tjetër çmim “Oscar”për aktorin më të mirë në “American Beauty”.

“Unë kurrë nuk i kam thënë dikujt që nëse më jep favore seksuale, atëherë unë do t’i ndihmoj me karrierën e tyre, kurrë”, shtoi ai.

Spacey tha se ai ka luftuar për t’u rikthyer në punë pasi u lirua nga të gjitha akuzat penale, duke e përshkruar përvojën e tij si një “dënim të përjetshëm”.

Karriera e tij e aktrimit është ndikuar negativisht që nga viti 2017, kur ai u akuzua për herë të parë publikisht për sjellje të papërshtatshme në fillim të lëvizjes #MeToo.

Më pas ai humbi rolin e tij kryesor si Frank Underwood në dramën e Netflix “House of Cards”.