Rajoni

Kryediplomati i BE-së, Borrell, thirrje serbëve të heqin barrikadat në veri të Kosovës!

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator 2022. Zyrtari i lartë europian u shpreh se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës, të largohen menjëherë. Në një postim në Twitter, shkruan:

Mirëpresim vendimin e Kosovës për zhvendosjen e masave deri më 1 shtator. Pres që të gjitha bllokimet e rrugëve të hiqen menjëherë!

Gjithashtu, Josep Borrell theksoi se “çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në Bashkimin Europian.

Në veriun e Kosovës sot është dita e dytë e bllokadës nga serbët të rrugëve që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak. Akset janë bllokuar me barrikada e automjete të rënda e nuk ka shenja për zhvendosjen e tyre, pavarësisht zotimit të Prishtinës për të shtyrë deri më 1 shtator, zbatimin e vendimeve të 29 qershorit 2022 lidhur me reciprocitetin e targave e të dokumenteve identifikuese.

Shtyrja, por jo anulimi u kërkua nga ndërkombëtarët, që orët e fundit intensifikuan kontaktet dhe takimet me kryeministrin Kurti e presidenten Osmani. Mes atyre që kanë dalë në rrugë janë edhe punonjës serbë të arsimit e shëndetësisë në Kosovë. Situatën, policia e përshkruan “të qetë”.

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pretendon se në 24 orët e fundit, bënë “të pamundurën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në komunat e veriut”. Petkoviç u shpreh i kënaqur që u realizuan përpjekjet e tyre se siç tha “shtetet e QUINT-it i bënë presion kryeministrit Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për reciprocitet lidhur me targat e dokumentet serbe, si dhe për gjetjen e zgjidhjes në Bruksel”.