Aktualitet

Kryeministri Rama: Irani sulmoi sistemin TIMS!

Kryeministri Edi Rama njofton se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS. Në një postim në Twitter, shefi i qeverisë bën të ditur se me aleatët po punohet pa orar, për t’i bërë të papenetrueshme, sistemet tona digjitale.

Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.

Me qëllim shmangien e vonesave, në pikëkalimet kufitare ku ra sistemi, autoritetet punuan manualisht për përpunimin e dokumenteve. Ky është sulmi kibernetik i radhës pas atij të mesit të muajit korrik që preku edhe platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët shqiptarë pajisen me shumicën e dokumenteve. Më 7 shtator, pra tre ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se u faktua që Irani qëndronte pas sulmit e urdhëroi diplomatët dhe stafin të mbyllnin Ambasadën e Republikës Islamike në Tiranë e brenda 24 orëve të largoheshin nga Shqipëria. Kjo është e para herë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajësoi Iranin për organizim të një sulmi kibernetik e ndërmerr masa të tilla.

Shefi i qeverisë tha se “sulmi kibernetik i korrikut kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve digjitale, si dhe grabitjen e të dhënave e të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare”. Teherani dënoi vendimin e Tiranës zyrtare për të ndërprerë raportet diplomatike, duke thënë se për këtë çështje, Shqipëria mori vendim “mbi pretendime të pabaza”. Përmes një deklarate, NATO dënoi sulmin kibernetik të Republikës Islamike ndaj vendit tonë.

Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3 mijë anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi.