Sport

Lewandowski lë përfundimisht Bayern, bomberi polak zyrtarizohet te Barcelona!

Robert Lewandowski do të transferohet te Barcelona. Klubi katalanas ka gjetur më në fund gjuhën e përbashkët me Bayern Munich për të blerë kartonin e bomberit polak për rreth 50 milionë euro.

“Ne kemi një marrëveshje verbale me Barcelonën për shitjen e Lewandowskit. Ata na kanë bërë një ofertë absolutisht të arsyeshme dhe në sulm ne sapo kemi blerë një lojtar të klasit botëror si Sadio Mane”, deklaroi për Bild, Oliver Kahn, CEO i kampionëve të Gjermanisë.

33-vjeçari, i cili sezonin e kaluar u kthyer në golashënuesin më të mirë të historisë së Bundesligë dhe që fitoi gjithçka me Bayernin, ka folur rreth largimit të tij për Sky Sport Germania.

“Kam kaluar tetë vite të mrekullueshme te Bayerni, nuk do ta harroj kurrë këtë aventurë fantastike. Do të kthehem për t’i përshëndetur të gjithë siç duhet pas turneut me Barcelonën”, deklaroi Lewandowski.

Një afrim fantastik për ekipin spanjoll, teksa Xavit i vjen sulmuesi që priste. Tifozët katalanas janë entuziastë për afrimin e një futbollisti, i cili është një garanci golash.

https://twitter.com/FCBarcelona/status/1548351807344091138?s=20&t=3kDK0Q7qlhVmcjNwkYcTaQ

Fillimisht, 33-vjeçari do të kryejë testet mjekësore në Amerikë dhe më pas mund të zbresë rregullisht në fushë, ku përveç Miamit, blaugranat do të udhëtojnë edhe drejt New York, Las Vegas e Dallas.

Sakaq, polaku ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, e cila është e vlefshme deri në qershor të vitit 2026. Për Bayern Munich do të shkojnë 45 milionë euro, plus pesë të tjera në formën e bonuseve.