Bota

Li Qiang, kryeministër i Kinës/Aleat i presidentit Xi!

Zyrtarisht, Li Qiang u zgjodh nga parlamenti si kryeministër i ri i Kinës. Tani, ai është zyrtari i dytë më i lartë në sistemin politik të vendit aziatik. Ish-udhëheqësi i Partisë Komuniste në Shangai, qyteti më i madh i Kinës, pritet të drejtojë qeverinë, duke zëvendësuar Li Keqiangun, i cili doli në pension. Ndërkaq, mori pothuajse të gjitha votat e më shumë se 2 mijë e 900 delegatëve të Kongresit Kombëtar Popullor (NPC).

Li Qiang njihet si një aleat i ngushtë i presidentit kinez, Xi Jinping. Të dy kanë punuar bashkë. Li ishte shefi i kabinetit të Xi-së në fillim të viteve 2000 kur kreu aktual i shtetit ka qenë drejtues i partisë në provincën Zhejiang. Më pas, Li u emërua sekretar partie i Shangait, në vitin 2017.

Gjithashtu, një ditë më parë Xi Jinpingut iu dha mandati i tretë pesëvjeçar si president i Kinës. Në punimet e Kongresit, vota për të ishte unanime, me 2 mijë e 952 pro dhe asnjë kundër. Anëtarët e këtij Kongresi emërohen nga partia në pushtet.

69-vjeçari Xi, e pati emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në tetor të vitit të kaluar, në këtë mënyrë duke thyer një traditë, sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzojnë pushtetin një herë në dekadë.

Një kufi i vendosur për dy mandate për presidencën e Kinës u fshi nga Kushtetuta kineze më herët, duke nxitur sugjerime se ai mund të synojë të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Mandati i ri i Xi-së dhe emërimi i njerëzve të afërt me të, në postet kryesore nënvizon monopolin që ka mundur të sigurojë mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm ndaj agjendës së tij tepër nacionaliste për ndërtimin e Kinës. Vendi aziatik është rivali më i lartë politik, ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sfiduesi më i madh i rendit botëror demokratik që kryesohet nga Uashingtoni.