Celebrities Film & Tv Showbiz

Lum kush e njeh! Keanu Reeves vazhdon të tregojë bujarinë e tij me dhurata për kolegët!

Vetëm dy muaj më parë, aktori i njohur kanadez Keanu Reeves u dhuroi nga një orë Rolex të gjithë dublantëve të “John Wick 4”. E tani duket se po e vazhdon këtë ‘traditë’.

Reeves njihet për dhuratat bujare që iu bën të gjithëve atyre që e rrethojnë. Kjo nuk përjashtohet as për ekipin e “The Matrix Resurrections”. “The Hollywood Reporter” ka zbuluar se Reeves ka shpenzuar bujarisht për miqtë, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e tjerë të ekipit për të shijuar një eksperiencë luksoze për premierën në San Francisco të “The Matrix Resurrections”, e cila u zhvillua në Bay më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas raportimeve, aktori donte të sigurohej që të gjithë të ndiheshin të përfshirë në festë dhe kështu ftoi të gjithë anëtarët e ekipit, agjentët e menaxherët si dhe miqtë, familjen e të afërm të tjerë që të merrnin pjesë në këtë ceremoni. Thuhet se ai pagoi faturën për një avion privat, si dhe akomodimin në hotel, biletat për premierën dhe gjithashtu organizoi aktivitete dhe dhurata të tjera për listën e të ftuarve, duke përfshirë një drekë të veçantë pas premierës. Kur u pyet nga “The Hollywood Reporter” se pse bëri gjithë këto shpenzime të mëdha, ai tha:

Është e mrekullueshme të jemi në gjendje të ndajmë përvojat dhe jetët tona së bashku.

Së fundmi, “The New York Post”, ka zbuluar se Reeves ka dhuruar për hulumtime të kancerit, rreth 70% të fitimeve të tij nga “The Matrix”, filmi origjinal i vitit 1999. Media prestigjioze bëri të ditur se Keanu ka fituar një total prej 45 milionë dollarësh për filmin, por vendosi të japë 31.5 milionë dollarë nga kjo shumë për të financuar kërkimin e leuçemisë.

Frymëzimi thuhet të ketë ardhur nga vetë jeta personale e aktorit, pasi motra më e vogël e tij ka luftuar me sëmundjen. Megjithatë, edhe pas shërimit të saj, Reeves vazhdoi punën e tij në këtë fushë, duke krijuar një fond privat në fillim të viteve 2000 për kërkimet për kancerin.