Film & Tv

Magjia e ‘The Handmaid’s Tale’ rikthehet, dhe është njësoj si në sezonin e parë

Kur seriali i frymëzuar nga libri i Margaret Atwood debutoi në ekranin e vogël në Prill të 2017-ës, u hoqën paralele mes utopisë misogjene, konservatorizmit të besimit në Gilead dhe realitetit të amerikës së Trump-it. Ishte një ngjashmëri që ishte e vështirë të injorohej – në retorikë dhe përditshmëri protestash. Edhe pse seriali kishte më shumë se një vit në prodhim erdhi pikërisht kur duhej, pasqyrim i momentumit.

Katër vite më vonë, sezoni i katërt i ‘The Handmaid’s Tale’ i cili është duke u shfaqur çdo të mërkurë në ‘HULU’ duket të jetë realizuar si refleksion i klimës aktuale të SHBA-ve. Duke nisur aty ku sezoni i tretë na la (gojëhapur), me June (Elisabeth Moss) që ngeli në Gilead (prapë) dhe një avion me 86 fëmijë dhe shumë gra që ulet në tokë Kanadeze, episodet e para merren pikërisht me traumën e madhe të dy anshme – të rriturit të cilët shpëtuan, por fëmijët që ndihen si të marrë peng duke mos njohur realitet tjetër veç Gilead. Kur dikush përqëndrohet për një kohë të gjatë për t’i shpëtuar shtypësit, atëhere kur ja del të marrë prapë frymë lirisht pyetja e pashmangshme që i bën vetes është po tani. Kjo është pikërisht pyetja e amerikanëve – po pse jo, mbas Covid-19 – edhe e gjithë botës – PO TANI?

Në sezonin e dytë dhe të tretë, ‘The Handmaid’s Tale’ ngeli pak si ‘në vend numëro’ me personazhin kryesor e luftën e saj me të gjithë kundërshtarët – nga pronarët Serena dhe Fred Waterford (Yvonne Stahovski dhe Joseph Fiennes) kujdestarja e shërbyeseve teto Lidia (Ann Dowd) – një luftë e vazhdueshme e përsëritur deri në ikjen e saj (thuajse) nga Gilead. Fryma ngeli pezull kur June vendosi të mos e lërë ferrin, pa marrë gjënë e saj më të çmuar – vajzën.

Sezoni i katërt nisi furishëm dhe rikthehet në shkëlqimin e sezonit të parë, sipas kritikëve që kanë parë 8 nga 10 episodet e tij. Ndjeshmëria e ‘The Handmaid’s Tale’ nuk ka humbur asgjë në këto katër vite edhe pse shumë larg nga vepra ku është bazuar tashmë. Atwood si producente ka bërë të vetën që personazhet të jenë shumë afër tensionit të librit, por është kryesisht puna e show-runner-t Bruce Miller me një stil regjisorial dyshues me qëllim. Dashuria e tij për planet mbi kokë, dhe personazhet e humbura në një hapësirë gjeometrikisht korrekte të cilat edhe pse i shohim prej 4 vitesh sërish të bëjnë përshtypje. Miller shpesh është mizor në kuadrin e tij, në një skenë për shembull që tregon Ritën (Amanda Brugel) martën e Waterfordëve tashmë e lirë në Kanada duke ngrënë në një dhomë që duket sikur po e hanë muret si për të treguar se burgosja fizike i ka lënë vendin asaj emocionale.

Zemërimi feminist që shtyn para ‘The Handmaid’s Tale’ është akoma shumë prezent, vesh çdo skenë të torturave. Në episodin e tretë me regji të vetë Elisabeth Moss në një skenë të zgjatur dhune e inatos shikuesin a thua se është brenda mureve të vuajtjes dhe e bën ta kuptosh edhe më tej botën e errët të Gilead – a thua kjo është e mundur pas kaq shumë vitesh.


Nuk po i hyjmë sfidës së shpjegimit të çfarë e bën këtë sezon të jashtëzakonshëm pa treguar detaje që do ua prishin magjinë juve që nuk e keni parë ende. Sezoni lëviz me një shpejtësi urgjente zgjidhjeje dhe me vendime edhe më të forta – kjo është në fakt arsyeja më madhore që ka lidhur publikun kaq fort me këtë serial, thika që rri e mprehur shumë afër fytit por asnjëherë pa surpriza, diçka që e bën të pamundur parashikimin e asaj që do të ndodhë. Nëse dy sezonet para këtij e patëm të pamundur të merrnim frymë lirie, duket sikur konflikti po vjen në fund.

Ky sezon e ka kthyer June në një heroinë të vërtetë, por edhe një personazh të urryer – spese me vendime të mëdha, vijnë sakrifica të mëdha dhe jo të gjithë do jenë të kënaqur. Po ashtu ka një rritje dhe njohje të personazheve si Janine (Madeline Brewer) për të cilën në gjithë këto vite dimë shumë pak veç personalitetit të saj të brishtë. Çdo linjë historisë tek ‘The Handmaid’s Tale’ është testament i shenjës së pashlyer që lë tek sejcili prej shikuesve. E shkuara e gjithësejcilit, dashur apo padashur, të përndjek pavarësisht drejtimit tënd. Dhe kjo është pesha e personazheve (dhe shikuesve njëkohësisht) në këtë sezon, kjo dhe pasiguria – çfarë do të ndodhë më mbas…. Stay Tuned!