Rajoni

Mali i Zi, zgjedhje lokale në 14 komuna!

Zgjedhjet e sotme lokale në 14 komuna në Malin e Zi, përfshirë kryeqytetin Podgoricë, janë testi më i madh i besimit të qytetarëve në partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur u ndryshua pushteti. Rreth 340 mijë persona me të drejtë vote janë thirrur të zgjedhin në një garë me 100 lista zgjedhore për 481 këshilltarë. Rivaliteti është i fortë mes dy grupimeve politike që prej vitesh kanë dominuar në Malin e Zi.

Në njërën anë janë partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç e që e kanë mbajtur pushtetin për më shumë se 30 vite. Përballë tyre qëndrojnë subjektet që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb e pro-rus. Ndërsa grupimi i parë del i bashkuar në koalicione, i dyti garon kryesisht i ndarë në disa forca politike.

Zgjedhjet po zhvillohen në kulmin e krizës politike në vendin fqinj e ku qeveria në largim e Dritan Abazoviçit humbi besimin ndërsa shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Me votat e 41 deputetëve të partive dhe të koalicioneve të shumicës, të formuara pas zgjedhjeve të gushtit 2020, dy ditë më parë, Parlamenti shkarkoi ministrat e Mbrojtjes e të Punëve të Jashtme, Rashko Konjeviç e Ranko Krivokapiç.

Shkarkimi u kërkua nga kryeministri Abazoviç, sipas të cilit, “ministrat nuk duhet të përfaqësojnë partinë politike të presidentit Milo Gjukanoviç, por qëndrimet e Qeverisë”. Po ashtu, në mungesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit, të cilët bojkotuan seancën, Parlamenti nuk arriti të zgjedhë katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese pasi kërkohej një shumicë prej 54 votash.

Nga 14 komuna ku sot zhvillohen zgjedhje, 9 janë qeverisur nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviçit, me partnerët në koalicion. Por, pas zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat humbi pushtetin në nivel shtetëror, kjo parti humbi edhe në disa komuna si në Nikshiq, Cetinë e Mojkovac.